Pas një momenti që u bë viral në rrjetet sociale, CEO i kompanisë së inteligjencës artificiale Astronomer, Andy Byron, ka publikuar një deklaratë zyrtare ku kërkon falje publike për sjelljen e tij gjatë koncertit të Coldplay.
Byron u pa në kamerën e njohur të puthjes (“kiss cam”) në një video që qarkulloi me shpejtësi në internet, teksa përqafohej me Kristin Cabot, shefen e burimeve njerëzore në të njëjtën kompani. Videoja shkaktoi reagime të forta, veçanërisht pasi u konfirmua se Byron është i martuar.
Në rrjete sociale u vu re gjithashtu se bashkëshortja e tij, Megan Kerrigan, kishte hequr mbiemrin “Byron” nga profili i saj në Facebook – një veprim që shumë e interpretuan si një sinjal të qartë për situatën në çift.
Në deklaratën e publikuar më 17 korrik 2025 nga New Yorku, Byron pranoi gabimin, duke thënë se ajo që duhej të ishte “një natë muzike dhe gëzimi” u kthye në një moment personalisht i dhimbshëm dhe profesionalisht i turpshëm.
“Dua të kërkoj sinqerisht falje gruas sime, familjes sime dhe ekipit në Astronomer. Ju meritoni më shumë nga unë si partner, si baba dhe si udhëheqës,” shkroi ai.
Byron kritikoi gjithashtu faktin që një moment i tillë u bë publik pa pëlqimin e tij, duke e konsideruar këtë si një pasojë të rrezikshme të kulturës së spektaklit dhe shkeljes së privatësisë.
Megjithatë, në rrjete sociale pati kritika ndaj deklaratës së tij.
Komentues të shumtë sugjeruan se Byron po shpreh më shumë shqetësim për faktin që videoja doli në publik, sesa për veprimin e vetë në raport me etikën personale dhe profesionale.