Chelsea ka shkruar histori në futbollin botëror duke fituar finalen e Kupës së Botës për Klube, me një paraqitje mbresëlënëse dhe fitore bindëse 3-0 ndaj kampionëve të Europës, Paris Saint-Germain. Nën dritat e MetLife Stadium në New Jersey, blutë e Londrës dhuruan një nga performancat më të mira të viteve të fundit në skenën ndërkombëtare, duke mbyllur ndeshjen praktikisht që në pjesën e parë.
Heroi absolut i finales ishte Cole Palmer, i cili me dy gola në minutat 22 dhe 30 elektrizoi ndeshjen dhe i dha Chelsea-t një epërsi të hershme që nuk e lëshoi më.
Ai u shndërrua jo vetëm në finalizues, por edhe në krijues, duke asistuar për golin e tretë të realizuar nga Joao Pedro në minutën e 43-të. Një pjesë e parë perfekte, që e detyroi PSG-në të dorëzohej pa mundur të reagonte as në pjesën e dytë.
Pavarësisht përpjekjeve të shumta të yjeve parizienë, Chelsea menaxhoi me mençuri lojën në fraksionin e dytë, duke ruajtur rezultatin dhe duke mos i dhënë asnjë hapësirë një rivali që u duk i shpërbërë dhe emocionalisht i thyer. Tensioni ishte i dukshëm edhe në kartonët e shumtë që morën lojtarët e PSG-së, dëshmi e një skuadre që nuk arriti të përballonte presionin e një finaleje madhore.
Kjo fitore nuk është thjesht një trofe për vitrinën e Chelsea-t, është një rikthim në majat e futbollit botëror dhe një shpallje e qartë e ambicieve të reja. Me këtë sukses, Chelsea rrëmben titullin e klubit më të mirë në botë për vitin 2025, duke mposhtur bindshëm kampionët e Champions League dhe duke lënë pas çdo dyshim mbi forcën dhe projektin e tyre të ri sportiv.