Aktori dhe skenaristi Naser Rafuna ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me praktikat e Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK), duke theksuar se ka pasur një mungesë të rëndë transparence në ndarjen e fondeve për filma.
Rafuna pohon se, pavarësisht përpjekjeve të tij të vazhdueshme për të aplikuar me projekte të rëndësishme dhe bashkëpunime ndërkombëtare, asnjëherë nuk ka pasur fatin të fitojë. Ai kërkon të nxjerrë në pah një sistem të paracaktuar, ku rezultatet e konkurseve duken të vendosura që në fillim.
Sipas tij, ndryshimet që priteshin me ardhjen e qeverisë së re, nuk kanë sjellë rezultate pozitive. Përkundrazi, ai thotë se kapja e institucioneve ka arritur përmasa më të thella, duke rritur ndjeshëm frustrimin mes artistëve dhe profesionistëve të tjerë të kulturës.
SHKRIMI I PLOTË:
Në këtë javë që po e lëmë , aplikova në QKK -Qendrën Kinematografike të Kosovës me dy skenare për film të metrazhit të gjatë . Kam aplikuar në të kaluarën edhe me skenar të fituesit të Oscar’s , kam aplikuar edhe me regjisor të huaj që ka fituar në Cannes…sivjet në muajin janar , aplikova me dy skenare tjera për film artistik të metrazhit të gjatë por nuk fitova, në fakt skam fituar asnjëherë, ndërsa në këtë javë në konkursin e QKK-së ,prapë aplikova me dy skenare tjerë me skenar të filmit artistik të metrazhit të gjatë dhe e di se nuk do të fitoj.
S’mundësh me fitu në një konkurs që i shtyhet afati për arsye se, ata që janë përcaktuar të fitojnë , nuk kishin gati dokumentacionin me kohë, nuk ishin gati producentët që duhet të fitojnë dy herë brenda një viti, apo edhe për ata që dikur ishin pjesë e QKK-së, shtyhet afati edhe për aplikuesit -bashkëpunëtorët e anëtarëve të jurisë e kështu me rradhë e me rradhë.
Kam pasë një ndjenjë , që me ardhjen e Albinit
me shokët e VV-së ,pra me ardhjen e erërave të reja politike ,do të sqarohej mjegulla e korrupsionit, do të digjeshin urat e klaneve kulturore. Por realiteti është si një rrëfim i ndalur mes dy kapitujsh: faqe të bardha shprese që presin ngjyrat e ndryshimit, por ngjyrat mbeten në kapak, të pandryshuara në një pikturë të njëjtë.
Është për lakmi, gjë që se kemi parë te pararendësit e tij, ku për çdo pjesëmarrje të ngjarjeve kulturore ,si një kompozitor i fjalëve, kryeministri ynë di të orkestrojë fjalët me të njëjtin virtuozitet që Rembranti fton dritën në pikturë, Bergmani ngadalëson kohën në film, apo Rahmaninovi ndez simfoninë e shpirtit.
Çdo premierë, çdo koncert, çdo ekspozitë bëhet skenë madhështore , kur ai vlerëson vargje kritike e ‘celebrative’ që do t’ia kishte zili edhe Fernando Pesoa, ku në këto portrete artistike të madhërishëme, pikturon me pompozitet nëpër rrjetet e tija sociale,sa bukur. Pikturon bukur me fjalë , pa gabime drejtshkrimore, sikur një filolog që do të ia kishte lakmi edhe Çabej, por asnjëherë nuk skicoj një imazh të vërtetë të Ministrisë së Kulturës e shndërruar tash në fondacion të OJQ-ve apo rrugë furnizimi përmes institucioneve vartëse të kësaj ministrie për të afërm, të cekur si më lartë.
Nuk ka nevojë kryeministri ynë në detyrë për t’i studiuar definicionet e Zhak Derridas apo Zhille Deleuze’s që t’i kuptoj të saktë çka po ndodhë me kulturën në vend, apo si shkepen fondet për të , më saktësisht. Do të donin ta shihnin siç sheh ai, ç’pamje kap syri i tij, për lakmi… fort kishim dashur të ishte siç sheh …prapë fort kishim dashur të ishte. Por, …
Ky pushtet na premtuan rrugë drejt lirisë kulturore; por, në vend të kësaj, na udhëheq përmes një labirinti dhuratash të pangopura pa transparencë, pa drejtësi . E kapën QKK-në edhe këta përmes të deleguarës së vet, udhëheqëses së këtij institucioni, na premtuan se do ta ckapin shtetin, ua lanë në dorë atyre që e kishin kapur prej vitesh këtë institucion e përkundrazi, ua forcuan edhe më lidhjen. Kështu,besimi ynë që patëm në këtë udhëheqje, kthehet në tentativë të verbër për të gjetur dritën e vërtetë në mes hijeve të conveniencës politike , që as nuk e duam e as nuk na intereson. Na intereson vetëm kultura, arti, teatri, filmi posaqërisht tema e shkrimit – QKK-ja dhe asgjë tjetër.
Nuk fituam në këtë konkurs kur nuk ishit , krejt i dijmë padrejtësinë edhepse i heshti pushteti i ri, pushtet që ju sollëm për të vënë rregull, na e “ trashët zullumin”. Nuk kemi nevojë për mëshirë e as për lutje, përpos drejtësisë. E drejtësia do të rezultoj sipas asaj që është thënë më lartë: do të fitojnë ata, për cfarë është shtyer konkursi…
Kemi shpresu në drejtësi- jo në “trashje të kapjes” i nderuari Albin Kurti e Hajrulla Çeku me shokët dhe shoqen.