Në mbyllje të serisë së hulumtimeve të emisionit “Debat Plus”, publiku u njoh me kulmin e një rrëfimi tronditës mbi figurën shumëdimensionale të Nazim Bllacës, ish-mësuesi i gjeografisë që u bë dëshmitar kyç i EULEX-it dhe, sipas materialeve të publikuara, njëkohësisht bashkëpunëtor i prokurorisë serbe.
Përmes përgjimeve të incizuara gjatë kohës sa Bllaca ndodhej në burg, dëshmohet se ai gëzonte privilegje të jashtëzakonshme për një të dënuar për vrasje: komunikonte për orë të tëra në telefon me Zdenka Pumper, hetuese e lartë e EULEX-it, e cila më vonë do të bëhej pjesë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Në momente kur kërkesat e tij për ulje dënimi, lirim me kusht apo avancim të rasteve në drejtësi nuk plotësoheshin, Bllaca kërcënonte se do të tërhiqej nga bashkëpunimi dhe se do të dilte publikisht kundër EULEX-it.
Në një nga përgjimet, ai dëgjohet duke thënë:
“Nëse EULEX-i nuk e çon përpara, unë më 21 janar do t’ia zgjas dorën Danillos, ty edhe me ju thanë ‘Na falni, mbaroj gjithçka’… e më dërgoni për atje. Le të lëshon ndonjë prokuror një letër që Bllaca s’don më”.
Për më tepër, ai pohon se kishte hapur Facebook-un nga burgu, ndonëse nuk kishte të drejtë, dhe kishte paralajmëruar se do të fliste publikisht për çështje të ndjeshme, përfshirë rastet Bamieh dhe Ratel, dy prokurorë të përfshirë në akuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Pas 10 ditësh, Bllaca do të flas, edhe pikë”, – shkruante ai.
Bllaca paraqitet si “agjent i dyfishtë”, dëshmitar që për 6 vjet kishte ndihmuar EULEX-in të ndërtonte raste të mëdha gjyqësore, përfshirë katër procese penale në Kosovë, dhe që, sipas të gjitha gjasave, është përfshirë edhe si dëshmitar në Hagë.
Emri i tij është përmendur edhe nga vet mbrojtja e Kadri Veselit në procesin aktual.
Ndërkohë, Zdenka Pumper, personi që bashkëpunoi nga afër me Bllacën për vite me radhë në Kosovë, tashmë koordinon hetimet në Hagë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Sipas vetë Bllacës, “nuk ka çështje që Zdenka nuk e di në Kosovë”, duke e përshkruar atë si njërën nga figurat më të fuqishme në zinxhirin e drejtësisë ndërkombëtare që ka vepruar në Kosovë.
Ky kapitull final i hulumtimit të ‘Debat Plus’ ka lënë shumë pyetje të hapura për legjitimitetin e proceseve të drejtësisë ndërkombëtare, për rolet e individëve kyç në ndërtimin e aktakuzave, dhe mbi të gjitha, për përdorimin politik e juridik të dëshmitarëve që veprojnë në kushte të paqarta dhe shpesh të dyshimta.
“Debat Plus” përmbylli episodin e fundit me thirrjen për të vazhduar kërkimin drejt së vërtetës dhe drejtësisë, në një sistem ku besimi publik është lëkundur dhe ku faktet shpesh janë të errësuara nga interesa të ndërlikuara ndërkombëtare.
“Në një sistem ku e vërteta mbetet shpesh e fshehur, e keqpërdorur dhe e manipuluar, për ne mbetet detyrë të vazhdojmë të kërkojmë përgjigje dhe drejtësi”, ka thënë Ermeal Panduri.