Tentativa e re e Osmanit për dalje nga ngërçi, takon sot veç e veç krerët politikë – e nis me Kurtin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të tentojë për herë të dytë të ndikojë në zhbllokimin e ngërçit politik në të cilin ka hyrë vendi pas dështimeve për konstituim të Kuvendit.

Ajo ka ftuar në takim liderët e partive politike në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga bllokada që po vazhdon tash e disa muaj.

E para e vendit ka planifikuar dy ditë takime me liderët e partive politike në vend.

Ditën e parë takimet i ka rezervuar për partitë politikë shqiptare, ndërsa të enjten, Osmani i pret në takim liderët e partive nga minoritetet.

Të gjithë liderët e partive politike i janë përgjigjur pozitivisht takimit të thirrur nga presidentja Osmani,

Ndryshe nga hera e parë, këtë herë Osmani do t’i takojë ‘veç e veç’ liderët e partive.

Takimet janë planifikuar të nisin ditën e mërkurë në ora 10:00 dhe do të përfundojnë në ora 16:00, për të vazhduar edhe ditën e enjte.

Të parin në takim do ta pres kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për të vazhduar pastaj me Memlin Krasniqin, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn.

Krasniqi, ishte i pari që konfirmoi se ka pranuar ftesë për takim nga Osmani.

Ai e cilësoi si pozitiv angazhimin e Osmanit, por është shprehur skeptik për sa i përket rezultatit të takimit.

“Qëndrimi jonë është ai që kemi pasur gjithmonë. Ka dy tre muaj që mundohemi me gjetë zgjidhje me ofru kompromise, për të dal nga kjo situatë. Nesër prapë do të jem tek presidentja. Këtë e shoh pozitive në kuptimin e angazhimit, por s’di çka të them për mundësinë e rezultatit. Sepse bllokada është prodhim i kryeneçësisë politike të VV-së“, ka thënë Krasniqi.

Më vonë edhe Kurti, gjatë vënies së gurthemelit për dy urat e reja mbi Ibër, e konfirmoi që do të shkojë në takim.

“Kam marrë pjesë më herët e do të marrë pjesë edhe tash”, tha Kurti.

Pjesëmarrjen në takim për gazetën online Reporteri.net e konfirmuan edhe nga LDK-ja e AAK-ja.

Partitë politike nuk po arrijnë të pajtohen për ta konstituuar Kuvendin as pas aktgjykimit të Kushtetueses që obligon që kjo të bëhet brenda 30 ditësh. Kushtetuesja ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.

Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi. Rezultat nuk prodhoi as një takim që kreu i VV-së, Albin Kurti pati të shtunën me krerët e partive të tjera.

Ndonëse pati propozime, ky takim përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete. Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, dolën nga takimi me kritika ndaj Kurtit dhe Vetëvendosjes, duke e quajtur këtë takim një farsë dhe pa asnjë vullnet real për kompromis.

Në anën tjetër Kurti deklaroi se VV-ja si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit kishte ofruar dy opsione kompromisi, por ato ishin refuzuar nga ish-opozita. Ai theksoi se partia e tij ka përgjegjësi për formimin e qeverisë, por formimi i Kuvendit është përgjegjësi e përbashkët, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Propozimet e kompromisit”, siç i ka quajtur Kurti, kanë të bëjnë me votimin e fshehtë dhe votimin në pako të kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve.

Kurti akuzoi PDK-në dhe LDK-në për keqlexim të aktgjykimit të Kushtetueses.

Kosova po hyn në muajit e pestë të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe në muajin e tretë që kur është mbajtur seanca e parë për konstituimin e Kuvendit. Që nga 15 prilli, seanca konstituive ka dështuar në 40 vazhdime të saj.