Aktakuzë ndaj Feros, avokatja e Arbenitës: Procesi ka nisur, akuzohet për tri vepra penale

Avokatja e modeles Arbenita Ismajlit, Blinera Osmani, ka konfirmuar aktakuzën e ngritur ndaj reperit Feronit Shabanit, [njëherësh ish-bashkëshorti i modeles].

Në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, Osmani tha shkurt se aktakuza ndaj Feros është ngritur në dhjetor të vitit 2024 për tri vepra penale.

Ajo gjithashtu deklaroi se procesi gjyqësor ndaj reperit ka filluar këtë muaj.

“Aktakuza është ngritur në dhjetor 2024 për tri vepra penale. Procesi gjyqësor ka filluar këtë muaj dhe nuk mund të dimë sa do të zgjasë”, tha avokatja e Arbenitës në një prononcim.

Gjatë ditës së sotme, në një raportim u bë e ditur se Prokuroria Themelore në Gjilan i ka ngritur aktakuzën Feros për ngacmim seksual ndaj Arbenitës, dhunë psikologjike dhe kanosje.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se për natyrën e saktë të veprave për të cilat akuzohet Fero, ende nuk ka përgjigje zyrtare nga institucionet kompetente gjyqësore. /Telegraf