“Vetëfundosje politike” – Spahiu kritikon Kurtin për situatën në Kuvend

Profesori Nexhmedin Spahiu, ka vlerësuar se bota po shkon drejt një lufte të tretë botërore, ndërsa në Kosovë vazhdohet me krizë politike dhe dështime për konstituimin e Kuvendit.

“Jemi në një vijë shumë të hollë që na ndan nga një luftë botërore, dhe në këtë kohë ne merremi me çështje të brendshme, sikur asgjë nuk po ndodh. Konfliktet i kemi ende të freskëta, marrëveshjet nuk po zbatohen dhe ekziston një rrezik real që lufta të përfshijë edhe Kosovën”, deklaroi Spahiu.

Ai tha se partisë në pushtet i konvenon vazhdimi i kësaj situate për të qëndruar në detyrë deri në zgjedhjen e presidentit, ndërsa partitë opozitare po shfrytëzojnë krizën për t’u forcuar në prag të zgjedhjeve.

“Kjo gjendje nuk është pa interes për pushtetin, sidomos për ta shtyrë mandatin deri në zgjedhjet e ardhshme. Partitë e tjera nga ana tjetër po shfrytëzojnë kohën për t’u konsoliduar”, tha ai.

Sipas Spahiut, kryeministri Kurti me këtë situatë nuk po fiton asgjë – përkundrazi, po e dëmton vetveten dhe partinë e tij.

“Krejt kjo që po ndodh nuk ka kuptim. Ai ka bërë diçka që s’e ka bërë askush më parë në veri, por për interesa personale dhe partiake po fundoset – po e zhyt veten gjithnjë e më thellë”, përfundoi Spahiu.