Ngërçi politik në Kuvend: Vetëvendosja refuzon alternativa, kërkon votim të fshehtë për Haxhiun

Për herë të 36-të me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedhë kryetaren e tij, pasi nuk u siguruan votat e nevojshme për konstituimin e plotë të këtij institucioni.

Kryesuesi i seancës konstitutive, Avni Dehari, hapi dhe mbylli seancën në mënyrë të përsëritur për shkak të mungesës së shumicës parlamentare. Edhe pse në sallë ishin mbi 100 deputetë, mungesa e votave të mjaftueshme bëri që votimi të mos zhvillohej.

Vetëvendosja vazhdon të mbështesë kandidaturën e Albulena Haxhiut, e cila deri më tani ka arritur të sigurojë vetëm 57 vota, shumë më pak sesa nevojiten për zgjedhje.

Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, propozoi që votimi të bëhet i fshehtë, duke argumentuar se disa deputetë nga partitë tjera mund ta mbështesin kandidatin, por nuk dëshirojnë të ekspozohen publikisht. Ai tha se votimi i fshehtë është mënyra e vetme për të lejuar deputetët të shprehin vullnetin e tyre lirshëm, pa presion.

Nga ana tjetër, partitë opozitare kanë ofruar alternativa për tejkalimin e ngërçit, duke propozuar kandidatë të ndryshëm që janë të pranueshëm për ta, madje PDK-ja ka deklaruar se ka mbi 40 deputetë nga Vetëvendosja që mund të mbështesin zgjedhjen e tyre.

Megjithatë, Vetëvendosja refuzon çdo propozim tjetër përveç Albulena Haxhiut, duke e bërë të qartë se nuk do të pranojë zgjedhje pa kandidatin e tyre.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, kritikon Vetëvendosjen për ngulmimin në një kandidat që nuk ka votat e nevojshme dhe shpreh shqetësim për zgjatjen e krizës politike në vend.

Ajo tha se kjo situatë po ndikon keq në funksionimin e institucioneve dhe nuk dihet sa kohë do të vazhdojë bllokada.