Çitaku tregon nëse LVV ka tentuar të marrë votën e deputetëve të PDK-së, fton Presidenten për rol më aktiv në zgjidhjen e ngërçit

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në Kallxo Përnime ka folur për bllokadën e shkaktuar në Kuvendin e Kosovës, zgjedhjet lokale dhe Konventën zgjedhore të kësaj partie.

Ajo ka thënë se PDK është e zhgënjyer me situatën politike në vend, derisa ka folur edhe për tendencat e LVV-së për të marr deputetë nga kjo parti.

Sipas saj, institucionet nuk po mund të japin zgjidhje për shtrenjtimin e shportës së konsumatorit dhe se në të njëjtën kohë nuk ka ngritje të pagave.

“Në vend se të shkonim në Kuvend për të shkaktuar bordin e ZRRE-së, ne po shkojmë aty për t’u bërë dëshmitarë të një kryeneçësie dhe një ambicie të pashpjegueshme” – ka thënë Çitaku në KallxoPërnime, transmeton Periskopi.

E pyetur se a ka ‘gjueti’ të deputetëve nga VV, Çitaku e konfirmon se ka pasur.

“Nuk do të doja të hyj në detaje, sepse nuk kam qenë pjesë e bisedimeve të tilla, por po kemi pas deputetë që kanë treguar edhe publikisht që u janë ofruar nga Lëvizja Vetëvendosje, ka pasë tendecë të hapur për të “trafikuar” vullnetin e qytetarëve, por deputetët e PDK-së as nuk shiten e as nuk blihen” – ka deklaruar Çitaku.

Çitaku, tutje nuk ka shprehur besim se do të ketë zgjidhje në Kuvendin e Kosovës teksa i ka bërë thirrje Presidentes të merr një rol më aktiv në kuadër të mandatit të saj.

PDK është e gatshme, sipas Çitakut të takohet me liderët politikë për të dalë nga situata e tanishme në vend.

“Kryetari dhe kandidati për Kryeministër takohen me të gjithë dhe ne nuk kemi frikë të takohemi me askënd. Jemi takuar edhe kur Kurti ka bërë ftesë për konstituimin e Kuvendit, por që ka rezultuar i pasuksesshëm për shkak se Kurti dëshiron diktat”. ka shtuar Çitaku./Periskopi/