Kuvendi i Kosovës të premten mban seancën e 31-të me radhë, pasi në seancën e kaluar partitë opozitare kanë kundërshtuar votimin e fshehtë- siç u veprua edhe në shumë seanca të tjera duke e kundërshtuar kështu vendimin e Vetëvendosjes që brenda seancave të ndryshohet mënyra e konstituimit të kuvendit.
Derisa asnjëra nga partitë nuk lëviz nga qëndrimet e tyre, në Kuvendin e Kosovës edhe 4 muaj pas zgjedhjeve, vazhdon të përsëritet situata e njëjtë.
Ky ngërç i cili po e përcjellë Kosovën tash e disa muaj ka detyruar edhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani që të përfshihet në këtë situatë.
Ndërkaq, po bëhen dy muaj prej se Kuvendi i Kosovës po dështon të konstituohet si pasojë e përçarjes së spektrit politik në vend.
Megjithatë, deputetët përpos pagave që vazhdojnë të marrin pa “punuar fare” e që seancat e tyre të rregullat zgjasin jo më shumë se 5 minuta, janë kujdesur të angazhojnë edhe asistentë personal, të cilët poashtu paguhen me paga të majme që t’i rrijnë gati deputetëve.
Tashmë disa deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë marrë asistentë paga e së cilëve, sipas raportimeve në media vendore sillet diku nga 640 euro deri në 850 euro, përfshirë këtu edhe benificionet shtesë që ata marrin gjatë një seance plenare.
Për këtë çështje për Lajmi.net kanë folur deputetja e NISMA-s, Xhavahire Izmaku dhe ajo e PDK-së, Ganimete Musliu.
Izmaku fillimisht tha se angazhimi i asistentëve personalë është i përcaktuar me rregullore dhe buxhet të Kuvendit dhe se nuk është vendim individual i deputetëve.
“Angazhimi i asistentëve personalë është i përcaktuar me rregullore dhe buxhet të Kuvendit – nuk është vendim individual i deputetëve, por një pjesë e domosdoshme e funksionimit të tyre nga dita e parë e mandatit. Edhe pse Kuvendi ende nuk është konstituuar plotësisht, puna dhe përgatitjet kanë nisur që nga momenti i certifikimit të rezultateve”, tha ajo.
Ajo tutje tha se si deputetët ka nevojë edhe për më shumë mbështetje gjatë mandatit, pasi puna që e bën do shumë angazhim.
“Deputetët nuk e përfaqësojnë vetveten, por vijnë në këtë udhëtim me një ekip që i mbështet në çdo aspekt: organizim, dokumentim, komunikim me qytetarët dhe përgatitje të punës parlamentare. Unë jam deputete që veproj aktivisht në terren dhe që kam realizuar projekte konkrete për komunitetin, dhe për këtë arsye do të kem nevojë edhe për më shumë mbështetje gjatë mandatit”, tregoi Izmaku për lajmi.net.
Ajo gjithashtu fol për pagesat e asistentëve, ku tha se ata nuk e kanë marrë asnjë cent deri më tani, sepse procesi i regjistrimit është shumë i ri dhe pagesat nuk janë realizuar dhe se deputetët kanë marrëvetëm një pagë mujore sipas ligjit.
Izmaku beson se angazhimi i asistentëve dhe këshilltarëve nuk është luks, por një mundësi për të rritur efikasitetin.
“Sa i përket pagesave: asistentët tanë ende nuk kanë marrë asnjë cent deri më tani, sepse procesi i regjistrimit është shumë i ri dhe pagesat nuk janë realizuar. Ne si deputetë kemi marrë vetëm një pagë mujore, sipas ligjit dhe praktikës normale. Jam e bindur se transparenca dhe qeverisja e pastër janë të domosdoshme, por gjithashtu besoj se angazhimi i asistentëve dhe këshilltarëve nuk është luks, por një mundësi për të rritur efikasitetin dhe përgjegjësinë në përfaqësimin që u bëjmë qytetarëve”, u shpreh ajo.
Ndryshe nga Izmaku e NISMA-s, deputetja e PDK-së, Ganimet Musliu nuk deshi ta komentoi në tërësi angazhimin e asistentëve personal në këtë kohë kur Kuvendin nuk po arrin të konsituuohet.
Ajo fajin ia hodhi kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, ku tha se shkaktari kryesor për tollovinë e krijuar në Kuvend është pikërisht ai.
“Duhet koncentruar te shkaku, jo tek pasojat pasi nuk rregullohet asgjë. Shkaktari për krejt këtë tollovi politike është Albin Kurti”, tha ajo për lajmi.net.
Lajmi.net gjithashtu ka kontaktuar edhe deputetin e VV-së Agim Bahtiri për të marr një koment mbi atë se pse duhet angazhuar asistentë personalë deputetët kur punohet vetëm 5 minutat si shkak i bllokadës, Bahtiri refuzoi ti përgjigjej kategorikisht kësaj pyetje.
Nga Kuvendi i Kosovës kan bërë të ditur se 74 deputetë, nga 120 sa janë gjithsej, tashmë kanë angazhuar zyrtarë të lartë personalë – përkatësisht këshilltarë, asistentë e koordinatorë, të paguar me nga 638 euro bruto në muaj, secili.
Përndryshe, angazhimi i asistentëve bazohet në Rregulloren Nr. 08/Rr-004 për Shtesa mbi Pagën bazë për Deputetë dhe për klasifikimin e Pagës për Stafin Mbështetës Politik të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Tashmë kanë dështuar 30 seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovë dhe si duket zgjidhje nuk do të ketë.
Vetëvendosje po insiston në Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, emër ky që po refuzohet nga partitë e tjera, të cilat po e shohin si figurë përçarëse.
Derisa situata në teren bën të ditur se zgjidhje të shpejtë për konstituimin e Kuvendit nuk ka- formimi i qeverisë së re nuk shihet as në horizont.
Vetëvendosje nuk pranon assesi që të tërhiqet nga propozimi për votim të fshehtë, e nga PDK, LDK, AAK e NISMA nuk duan t’i bashkohen këtij propozimi.
Kujtojmë se para tre ditësh presidentja Osmani, ka caktuar datën 12 tetor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale në Republikën e Kosovës.
Sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes, ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike, si dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore./Lajmi.net/