Avokat Koci i bërtet dhe ofendon Xhevahire Izmakun, por jo edhe Daut Haradinajn

Një përplasje verbale mes avokatit Arianit Koci dhe deputetes së Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ndodhi sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës, teksa Koci po protestonte për bllokimin e konstituimit të Kuvendit.

Koci ndërpreu fjalimin e deputetes Izmaku me tone të ashpra dhe fjalor ofendues, ndërsa reagimi i tij ndaj deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj, ishte dukshëm më i përmbajtur.

“Deputete, qysh s’po të vjen marre bre? S’po merreni vesh 30 herë e po flet këtu. Po leje allahile…”, iu drejtua Koci Izmakut në mënyrë aspak të zakontë për një ambient parlamentar.

Deputetja e Nismës u përpoq të ruajë qetësinë, duke i thënë: Arianit, unë e vlerësoj punën tënde. Vetëm bëjeni diferencën.

Por Koci vazhdoi: Hiç mos e vlerëso. Hiç s’po du me e vlerësu, veç kryejini punët tuaja. Ec hyn brenda.

Koci tentoi të ndalë edhe fjalën e Daut Haradinajt të AAK-së, por reagimi i tij ishte dukshëm më i butë. “Daut, mos u deklaro, veç hin brenda se ta ndërprej”, i tha Koci, ndërsa Haradinaj iu përgjigj: S’po na lëjnë me fol.

Përkundër përpjekjes së Kocit për ta ndalur, biseda mes tyre pati një ton më të ulët, madje u shoqërua me komente shoqërore dhe pak humor.

“Shumë djalë i mirë je, avokat je ti, i din ligjet”, i tha Haradinaj, duke shtuar se Koci ishte deklaruar më parë publikisht si votues i Vetëvendosjes, gjë të cilën Koci e mohoi.