Kurti: Siguria nacionale është përmirësuar ndjeshëm, Serbia ka humbur forcën destabilizuese në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar përmes një postimi të gjatë në Facebook se siguria nacionale në vend është përmirësuar ndjeshëm si rezultat i bashkërendimit institucional, bashkëpunimit profesional dhe ndërveprimit operacional ndërmjet organeve të inteligjencës, sigurisë dhe drejtësisë.

Sipas Kurtit, përparimi më i madh është vërejtur në katër komunat veriore, ku sipas tij, ndikimi destabilizues i Serbisë është reduktuar dukshëm dhe sundimi i ligjit është fuqizuar.

Ai shton se veriu i Kosovës, që dikur ishte një vatër e aktiviteteve kriminale, terroriste dhe me ndikim prorus, tani është stabilizuar në mënyrë domethënëse.

“Reduktimi i kapaciteteve destabilizuese të Serbisë, mbyllja e rrugëve ilegale, luftimi i kontrabandës, shpallja e ‘Mbrojtjes Civile’ dhe ‘Brigadës së Veriut’ si organizata terroriste, arrestimi i bashkëpunëtorëve të inteligjencës serbe, dhe ndërhyrja në laboratorët e drogës në veri, janë disa nga rezultatet konkrete”, shkroi Kurti.

Ai theksoi se sulmet e fundit terroriste si ai në Banjskë më 24 shtator 2023 dhe ai ndaj kanalit Ibër-Lepenc në nëntor 2024 janë menaxhuar me sukses, ndërkohë që shumë prej pjesëtarëve të strukturave ilegale janë arratisur në Serbi pas ndërhyrjeve të institucioneve të Kosovës.

Kryeministri vlerësoi edhe zhvillimet politike te komuniteti serb në Kosovë, duke theksuar se “Lista Serbe” nuk ka më kontroll të plotë mbi 10 ulëset e rezervuara në Kuvend, falë rritjes së pluralizmit politik.

Ai shtoi se kërcënimi nga grupet ekstremiste me motive fetare është i ulët, ndërsa ai nga përhapja e ideologjive radikale mbetet në nivel mesatar. Kurti përmendi se është parandaluar edhe ndikimi malinj i shteteve si Rusia, Kina dhe Irani, ndërsa bashkëpunimi me agjencitë ndërkombëtare të inteligjencës dhe sigurisë është rritur ndjeshëm.

Në fund, Kurti nënvizoi rolin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) në analizën, kundërvënien ndaj kërcënimeve hibride dhe zhvillimin e operacioneve të suksesshme në terren.

“Institucionet tona janë më të koordinuara dhe më të përgatitura se kurrë më parë për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e sovranitetit të vendit”, përfundoi ai.