Avokati zbulon datën kur Ilir Meta do të lirohet nga qelia

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, deklaroi se Presidenti i Partisë së Lirisë do të lirohet shumë shpejt.

“Besoj se shumë shpejt do të lirohet. Është ezauruar çdo veprim dhe kuptohet qartë që edhe SPAK-u është sforcuar shumë. Në datën 10 të këtij muaji bëhet 1 vit që zoti Meta është regjistruar si person nën hetim, kështu që besoj se është ezauruar çdo afat edhe procedurial.

SPAK-u nuk ka çfarë provash të tjerë të mbledhë për zotin Meta. Besoj se brenda verës zoti Meta do të jetë person i lirë. Por, mos të harrojmë që çështjet politike janë shumë të vështira të çmontohen juridikisht”, tha Cakrani në A2 CNN.

Avokati tregoi edhe gjendjen aktuale të Ilir Metës duke u shprehur se “kreu i PL-së është në gjendje shumë të mirë fizike. Punon çdo ditë, orienton partinë, shkruan, bën palestër, kështu që është në gjendje shumë të mirë dhe në formë si nga ana fizike, ashtu edhe morale”.