Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ndaj situatës aktuale politike në vend, duke propozuar themelimin e një Këshilli Ndërpartiak si zgjidhje për dalje nga bllokada institucionale.
Përmes një postimi në Facebook, ajo shpreh shqetësimin për gjendjen që po kalon vendi dhe fajëson kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për krijimin e këtij kaosi, duke theksuar mungesën e vizionit politik dhe të konsensusit kombëtar.
“Inatet e Albinit, së bashku me mungesën e vizionit politik, shpërfaqin pasojat më të shëmtuara të mungesës së konsensusit politik kombëtar. Situata e krijuar po nxjerr në pah se edhe në një demokraci parlamentare, një person mund t’i mbajë peng të gjitha institucionet demokratike duke e bllokuar kështu politikën e Kosovës në një cikël populizmi dhe improvizimi”, ka shkruar Musliu.
Sipas saj, Kosova nuk mund të funksionojë në këtë mënyrë, pasi “në kaos, shumë gjëra mund të lulëzojnë, vetëm qytetarët jo”.