Duda Balje komenton veshjen e Albin Kurtit: Veç një herë e kam parë në bluzë, gjithmonë vishet me kostum e këmishë të bardhë

Deputetja e komunitetit boshnjak në Kuvendin e Kosovës, Duda Balje, ka qenë së fundmi e ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, ku iu kërkua të komentojë disa nga veshjet e politikanëve të njohur nga Shqipëria dhe Kosova.

E njohur për mendimet e saj të drejtpërdrejta dhe shpeshherë pa doreza, Balje nuk hezitoi të japë opinionin e saj për stilin e kryeministrit Edi Rama, duke e përshkruar atë si “mjaft eksperimental”.

“Ai është shumë eksperimental me stilin e tij dhe shpesh tenton të përçojë një mesazh me veshjen. Është ekstravagant dhe unik në mënyrën e vet”, tha Balje për Ramën, i cili shpesh është komentuar në media për zgjedhjet e guximshme në veshje.

Më pas, në studio iu shfaq një fotografi e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i veshur me kostum klasik. Balje komentoi me një ton më të rezervuar, duke vënë në pah qëndrueshmërinë në stilin e tij.

“Zotëri Kurtin unë veç një herë e kam parë në maicë. Do të thotë, non-stop është në kostum, me këmishë të bardhë, shumë klasik. Me thënë të drejtën, s’është që e kam vërejtur shumë…”, deklaroi ajo.

Por duke përmendur Kurtin, deputetja nga Prizreni nuk harroi të përmendë edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për të cilën kishte vetëm fjalë pozitive në aspektin stilistik.

“Kur jemi te Kurti, më duhet patjetër ta përmend presidenten time, e cila mendoj se i shkon më shumë ngjyra e kaltër”, përfundoi ajo me një buzëqeshje.