ZRRE paralajmëron shtrenjtim tjetër të energjisë elektrike

Në emisionin Kallxo Përnime, Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu thotë se gjatë vitit 2023 dhe 2024 kanë qenë çmimet më të larta të energjisë elektrike.

I pyetur se përse nuk janë informuar bizneset për daljen në treg të lirë të energjisë, për shkak se bizneset kanë shfaqur këtë ankesë, Fejzullahu ka thënë se ky proces është shtyrë që nga vitit 2017.

“Shtyrja në vitin e kaluar ka qenë për deri më 31.03.2025, e kemi shtyrë edhe për dy muaj me qëllimin e vetëm që të përgatiten bizneset edhe për shkak se në muajin qershor ka edhe më shumë oferta” – ka deklaruar Fejzullahu.

Fejzullahu thotë se vendosja e bizneseve në treg të lirë të energjisë është kriter i Bashkimit Europian.

Sipas tij, bizneset janë informuar dhe se ligjërisht është dashur të dalin në treg që nga viti 2017.

Më pas, Fejzullahu ka lutur bizneset që të përgatiten sepse edhe Kosova si shtetet e rajonit, ngadalë do i vendos të gjitha bizneset në treg të lirë të energjisë.

Fejzullahu ka paralajmëruar shtrenjtim të energjisë edhe me vendosjen e taksës së CO2 dhe remonteve në termocentralet Kosova A dhe Kosova B.

“Sapo të vendoset taksa e CO2, do të shtrenjtohet energjia elektrike për të gjithë konsumatorët. Kjo taksë është shtyrë, por do të vendoset. Energjia elektrike do të rritet edhe për shkak të investimeve që do të bëhen në Kosovën A dhe Kosovën B, nëse ato bëhen” – ka deklaruar ai duke shtuar se nuk mund të dihet me saktësi se sa mund të jetë shtrenjtimi.

Tutje ai ka thënë se energjia e KEK-ut është më e lirë se ajo në treg. I pyetur se pse nuk është marr vendim që të mbrohen prodhuesit nga çmimi i lartë i energjisë në treg, Fejzullahu arsyetohet se ky është kriter ligjor i vendosur nga Kuvendi i Kosovës.

“Aty thuhet qartë që të drejtën e furnizimit universal e gëzojnë dy kategori, konsumatorët shtëpiak dhe bizneset e vogla me qarkullim më pak se 10 milionë ose më pak se 50 punëtorë” – ka shtuar ai.

I pari i ZRRE-së thotë se janë institucionet tjera që mund të marrin vendime për të mbrojtur prodhuesit.

“Kuvendi mund të bëj ndryshime ligjore, por nuk i ka bërë që nga viti 2017. Ky proces nuk mund të shtyhet në pafundësi, meqenëse nuk kemi pasë asnjë lëvizje, as nga bizneset e as lëvizje të ndryshimeve në legjislacionin primar” – shton Fejzullahu.