Shqipëria hambar për miliarderët, Jeff Bezos furnizon superjahtin në Durrës për të shmangur taksat

Pse duhet të subvencionojmë udhëtimin e Bezosit për dasmën në Venecia me paratë që i mungojnë një spitali publik në Shqipëri?

Në një vend ku qytetari paguan rreth 200 lekë për litër naftë, miliarderët e botës ndalen si në resort për të mbushur rezervuarët e jahtit me çmime që i ngjajnë subvencionit, pa akcizë, pa TVSH, pa përgjegjësi.

Kjo nuk është ndonjë metaforë, është ajo po ndodh sot në Portin e Durrësit ku u ankorua “Abeona”, jahti 76 metra i gjatë për furnizim, ndihmës i superjahtit “Koru”, që të dy në pronësi të një prej njerëzve më të pasur të planetit, Jeff Bezos.

Jahti po lëviz në zonë dhe më pas do të ndalojë në Venecia, ku pritet të bëhet dasma e Bezos.

“Abeona”, një monstrum detar i ndërtuar në 2023 nga kompania holandeze Damen, vjen me dy motorë gjigandë që konsumojnë deri në 400 litra naftë në orë dhe ka rezervuarë që mund të mbajnë mbi 100,000 litra. Kjo është sasia që mund të furnizohet në Shqipëri pa taksa, falë një skeme që nën petkun e “turizmit elitar” i ofron superjahtit luksin që qytetari shqiptar nuk e sheh as në ëndërr: naftë me çmim 52 lekë për litër.

Për një furnizim të tillë, Bezos paguan rreth 50 mijë euro. Po të furnizohej në Itali ose Greqi, do t’i kushtonte mbi 150 mijë euro. Diferenca? Një shumë që në Shqipëri mbulon pagat mujore të 300 mësuesve.

Ky fenomen, i njohur ndërkombëtarisht si “fuel tourism”, turizëm për karburant po e kthen Shqipërinë në një stacion pompimi për jahtet më të shtrenjta në botë.

Miliarderët nuk ndalen për të parë qytetin, as për të darkuar, e jo më për të investuar. Ndalojnë për të mbushur jahtin e për të ikur. Në Durrës, në Sarandë, në Vlorë historia përsëritet: jahtet futen, furnizohen, largohen.

Zero tatim, zero ndikim në turizëm, zero përfitim për popullin. Dhe ndërkohë, shteti mbyll sytë dhe e shet këtë si sukses turistik.

Ironia është se ndërsa Bezos merr naftë pa taksa, operatorët shqiptarë që kanë anije turistike, që punojnë me flamur shqiptar, që mbajnë punëtorë shqiptarë, e që jetojnë këtu, nuk përfitojnë nga ky trajtim.

Ata paguajnë çmimin e bursës, paguajnë akcizë, paguajnë TVSH paguajnë për çdo litër. Dhe për më tepër, konkurojnë në të njëjtin treg me jahtet e huaja që furnizohen me çmime që janë të pamundura për një sipërmarrës vendas. Është njësoj si të garosh në një pistë ku tjetri ka një Ferrari që mbushet falas dhe ti ke një biçikletë që paguan taksë për çdo rrugë.

Ky nuk është më thjesht problem fiskal. Është një padrejtësi e hapur. Është një politikë që subvencionon miliarderin dhe penalizon qytetarin. Dhe është një tregues se si Shqipëria po përdor resurset e saj për të tërhequr pasuri që nuk qëndrojnë, që nuk kontribuojnë dhe që nuk e ndihmojnë as ekonominë, as turizmin. Sepse në fund të ditës, nuk është turizëm kur një jaht ndalet vetëm për të furnizuar dhe largohet pa lënë asgjë pas.

Qeveria shqiptare e ka shitur këtë si një “lehtësim për tërheqjen e jahtit elitar”. Por cili është “eliti” që ndalet për pesë orë, mbush barkun me naftë, dhe largohet pa zbritur as në tokë? Pse duhet të subvencionojmë udhëtimin e Bezosit me paratë që i mungojnë një spitali publik?

Dhe më e rëndë: pse nuk trajtohet me të njëjtin përkushtim edhe turizmi vendas?

Shqipëria nuk është pompë karburanti. Nuk është ishull i privilegjuar për miliarderët që kërkojnë të shmangin taksat. Shqipëria është vend i njerëzve që paguajnë gjithmonë më shumë se ç’kanë. Dhe nuk mund të jetë më stacion i përkohshëm për një elitë që nuk lë gjë, veç tymit të motorëve.

Nëse nuk ndalet kjo politikë, Shqipëria nuk do të bëhet kurrë destinacion turistik. Do të mbetet thjesht një destinacion karburanti. Dhe kur fatura e kësaj strategjie të vijë për t’u paguar, do të jetë populli që do ta paguajë, jo Bezos. Ai do të jetë diku në Venecia, me rezervuarin plot dhe ndërgjegjen bosh.