Vllasi: LVV e LDK ta formojnë Qeverinë, Abdixhiku kryetar i Kuvendit

Një koalicion qeverisës nga Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe pakicat jo serbe, do të ishte stabil dhe do të mundësonte edhe zgjedhjen e presidentit në vitin e ardhshëm.

Kjo është formula e zgjidhjes së krizës politike sipas juristit Azem Vllasi.

Ai në Tëvë1, ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit ka treguar qartë se duhet një qeveri e koalicionit.

Vllasi ka thënë se në këtë koalicion LDK do duhet të merret postin e kryetarit të Kuvendit ose zëvendëskryeministrit të parë.

“Sipas mendimit tim, pozicionet janë definu aq mirë ku patjetër duhet një koalicion, një qeveri e koalicionit. Duhet një qeveri e koalicionit, partia që ka më së shumit vendet në parlament, Vetëvendosje bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe pakicat jo serbe. Një koalicion stabil. Kryetarit të LDK-së ti jepet Kryetari i Kuvendit ose nënkryetari i Qeverisë dhe vende proporcionalisht me numrin e deputetëve që i ka”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, në ketë mandat në opozitë do duhet të ishin PDK dhe AAK e Nisma. Ai ka thënë se vendit i duhet edhe një opozitë e fortë.