Për të 23-ën herë me radhë deputetët u mblodhën në sallën e Kuvendit për të tentuar t’i japin epilogun që duhet këtij zhvillimi politik e institucional.
Pavarësisht kësaj, edhe seanca e 23-të dështoi.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari bëri thirrje për partitë politike që të propozojnë emrat e tyre për komisionin për votim të fshehtë.
Nga PDK, LDK, AAK dhe Nisma sërish nuk propozuan askënd dhe votimi dështoi pasi nuk mori votat e mjaftueshme.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka vazhduar edhe sot takimet e tij me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas seancës së sotme që nuk u arrit asgjë, deputeti Hasani u pa ulur me dy deputetët e VV-së, Shqipe Selimin dhe Arben Vitinë që po bisedonin.
Ndërkaq, në një prononcim sot për Lajmi.net deputeti, Nait Hasani tha se qëndrimi i tij nuk ndryshon pavarësisht takimeve që ai bën me deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Qëndrimi im nuk ndryshon”, u shpreh Hasani për lajmi.net.
Kujtojmë se para dy ditësh, Hasani u pa duke biseduar edhe me Agim Bahtiri poashtu deputet i VV-së.
Arsyetimi i Hasanit pas bisedës me Bahtirin ishte se njiheshin prej kohësh.
“Njihem qëmoti me të ”, tha Hasani.