Loja e rrezikshme në Kosovë me qeverinë e re

Kosova po kalon një nga momentet më të rënda institucionale që nga shpallja e pavarësisë. Me zgjedhjet e 9 shkurtit, vendi po hyn në 100-ditëshin e dytë pa Kuvend funksional dhe pa qeveri të re. Institucioni qendror i Republikës vazhdon të mbetet i paralizuar, dhe kjo krizë politike po shoqërohet me një heshtje të frikshme të faktorit nderkombëtar.

Kryeministri Albin Kurti po shfaqet i palëkundur në kërkesën e tij për të zgjedhur Albulena Haxhiun në krye të Kuvendit, edhe pse nuk i ka numrat e nevojshëm. Ai ngulmon në parimin e votës së fshehtë, por harron se nuk është më në Opozitë, por njeriu që ka marrë mandatin për të udhëhequr vendin.

Të besosh se mund të bësh qeveri me mospjesëmarrje dhe kokëfortësi është naivitet politik, por në kontekstin e një rajoni të mbushur me interesa të jashtme, është edhe një aventurë e rrezikshme.

Opozita e shpartalluar dhe media e kapur

Partitë opozitare në Kosovë, që potencialisht mund të formonin institucione me aleanca, nuk po arrijnë dot të krijojnë asnjë lloj kohezioni. Mungon vizioni, bashkëpunimi dhe guximi politik. Në të njëjtën kohë, media, e cila duhet të ishte korrektive, është kthyer në zgjatim të tensioneve personale dhe propagandës politike. Analistë që dikur bënin opozitë ndaj Kurtit, sot sillen si palë të ngulfatura nga kriza, pa zgjidhje reale.

Përshkallëzimi i qasjes europiane

Në arenën nderkombëtare, gjuha e disa analistëve të rrymës italiane po bëhet gjithnjë e më agresive. Luccio Caracciolo, drejtues i revistës ‘Limes’, u shpreh se Kosova është një “pseudo-shtet” i drejtuar nga trafikantë droge dhe armësh. Të tilla qëndrime, ndonëse nuk përfaqësojnë linjën zyrtare të Italisë, tregojnë se në qarqet strategjike perëndimore ka ndryshim thelbësor në qasjen ndaj Prishtinës. Tashmë, zëra si Caracciolo nuk janë ekstremistë, por pjesë e “deep state”-it europian.

SHBA në heshtje, Gjermania në pritje

Zëvendëssekretari i Shtetit Christopher Landau u shpreh qartë se SHBA nuk merret me sherret e brendshme të aleatëve. Çka do të thotë se për Uashingtonin, Kosova nuk është prioritet për momentin. Ndërkohë, vetëm ambasadori gjerman ka dalë hapur, ndërsa qeveria e Berlinit, dikur protagoniste në rrëzimin e strukturave të vjetra të Hashim Thaçit, sot nuk po tregon vullnet konkret për zgjidhje.

Rreziku Bondsteel dhe çështja strategjike

Një raport i mediave amerikane paralajmëroi mbylljen e disa bazave ushtarake amerikane në Europë, mes të cilave edhe Bondsteel në Kosovë. Edhe nëse kjo nuk realizohet menjëherë, fakti që përflitet është indikator se Kosova mund të mos jetë më pjesë strategjike e prioritetit amerikan. Nëse kjo ndodh, Beogradi, Moska dhe Pekini do të fërkojnë duart.

Një shans i humbur për Kosovën

Albin Kurti nuk duhet të sillej si lider opozite në kohë qeverisjeje. Kosova nuk e ka luksin e krizave pafund. Moskonstituimi i institucioneve i jep legjitimitet narrativave anti-shqiptare dhe de facto e kthen vendin në një realitet të pamenaxhueshëm. Çdo orë e humbur në ngërç e çon Kosovën drejt periferisë së interesit perëndimor dhe në qendër të planeve ndârëse të fuqive të mëdha.