Tensionet në Fermë s’kanë fund, njëri nga konkurrentët do të eliminohet të premten

Mbrëmja e së hënës solli një tjetër natë të paparashikuar në “Fermën VIP”, spektaklin që po thyen rekorde shikueshmërie në Vizion Plus dhe që ka mbërthyer pas ekranit shqiptarët kudo ku ndodhen.

Prime-i i shtatëmbëdhjetë, nën drejtimin e Luana Vjollcës dhe dyshes së opinionistëve Zhaku e Kastro Zizo, nuk zhgënjeu as këtë here, ku spikatën tensionet, përplasje dhe emocione të forta.

Në qendër të vëmendjes ishte përballja e fortë mes fermerëve dhe tensionet që kanë mbizotëruar gjatë javës.

Ester Allushi, e cila për të dytën herë mban titullin e kryefermeres, është vënë në qendër të kritikave, jo vetëm nga banorët, por edhe nga opinionistët.

Menaxhimi i buxhetit të ulët të javës ka ndezur përplasje të forta, veçanërisht mes Esterit dhe Erandit.

Ndërkohë, sfida javore ndau fermerët në dy grupe. Një sprovë shpejtësie, shkathtësie dhe durimi që sigurisht pati pasoja për grupin humbës.

Elinara, Andueli, Erandi dhe Big Basta të cilët nuk arritën ta realizonin me sukses sfidën kaluan automatikisht në televotim për eliminim. Në këtë listë, nuk mungon as Frederik Ndoci, tashmë një i nominuar i përhershëm i fermës.

Me zhvillime që sa vijnë e bëhen më të tensionuar, “Ferma VIP 2” vazhdon të jetë temë e nxehtë diskutimesh në rrjetet sociale dhe jo vetëm. Të gjitha dinamikat e fundit mund t’i ndiqni live, në platformën Tring si dhe në përmbledhjen ditore në orën 17.00 në Vizion Plus.