Reagon Maqedonci: Pozicionimi i forcave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën, nuk është një lajm i ri

Ministri në detyrë i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka reaguar pas deklaratës së tij, e cila bëri bujë ditëve të fundit, ku ai kishte deklaruar se 70 për qind e ushtrisë serbe, është pranë kufirit të Kosovës.

Maqedonci ka thënë se e gjithë kjo është tentativë për të larguar vëmendjen e qytetarëve nga një ndër ngjarjet më të mëdha që po zhvillohet në Kosovë, atë të ushtrimit Defender Europe 25.

Ndërsa ka thënë se lajmi për pozicionimin e forcave ushtarake serbe, nuk është një lajm i ri.

“Nga akterë të ndryshëm në Kosovë, u nis një fushatë e gjerë në portale të ndryshme dhe rrjete sociale rreth deklaratës sime 1 minutëshe rreth pozicionimit të njësive ushtarake serbe e nxjerrë nga një intervistë 30 minutëshe në A2 CNN, intervistë kjo që ka mbizotëruar temën e ushtrimit Defender Europe 25. Ajo pjesa e vogël pak më shumë se një minutëshe e intervistës sime u tentua të bëhet lajm i ditës dhe të paraqitet si një propagandë me qëllim marrje së vëmendjes. E ndjej të nevojshme të sqaroj para qytetarëve, se në pothuajse të gjitha paraqitjet e mija publike, për të paktën dy vitet e fundit, sa herë jam pyetur rreth pozicionimit të forcave ushtarake serbe kam dhënë gjithmonë të njëjtën përgjegje dhe kam paraqitur të njëjtat fakte”, ka thënë Mqedonci.

Ndërsa ka thënë se jugu i Serbisë është i militarizuar dhe që Serbia vazhdon të ketë qasje hegjemoniste dhe agresive në raport me Kosovës është një realitet.

“Edhe këtë radhë për pyetjen e njëjtë dhashë përgjegjen e njëjtë. Propagandë do të ishte sikur unë të deklaroja që Serbia ka qasje miqësore, jo-militariste dhe paqësore në raport me Kosvovën dhe fqinjët e saj të tjerë. Propagandë do të ishte sikur të deklaroja që Serbia nuk ka angazhuar agjentë dhe spiun për të baltosur ndërkombëtarisht luftën e drejtë të UÇK-së dhe sikur të deklaroja që Serbia nuk ka mbështetur grupet terroriste në veri. Por që jugu i Serbisë është i militarizuar dhe që Serbia vazhdon të ketë qasje hegjemoniste dhe agresive në raport me Kosovës është një realitet që asnjë nga ne nuk do të dëshironte të ishte i tillë”, ka thënë ai.

“3 nga 4 Brigadat e kombinuara të ushtrisë serbe, pa përfshirë dhe njësi të tjera të specializuara janë të vendosura në jug të territorit serb jo larg kufirit me Republikën e Kosovës. Brigada e 2 është e vendosur në Rashkë, Brigada e 3 në Nish dhe Brigada e 4 në Vranjë. Këto tre brigada kanë si tejzgjatje të tyre operacionale 28 baza të përparme operacionale përgjatë vijës kufitare me Kosovën në distancë nga 300 metra deri 5 kilometra nga vija kufitare. Për më tepër përgjatë vijës kufitare janë të vendosura edhe 20 baza të Xhandarmërisë serbe. Këto baza kanë personel ushtarak dhe pajisje luftarake kolektive. Vetëm një brigadë e ushtrisë serbe është e vendosur në pjesën veriore të territorit të Serbisë. Pra ashtu siç kam deklaruar rreth 70% e kapaciteteve dhe instalacioneve të ushtrisë për vite me radhë janë të vendosura në jug të territorit të Serbisë. Krejt këto fakte mund të vërtetohen edhe me një kërkim të thjeshtë në internet”, ka thënë Maqedonci..

Pavarësisht kësaj,ai ka thënë se gjatë këtyre viteve, institucionet tona kanë treguar maturi në qëndrime dhe vendosmëri në veprime për të kontribuar për paqe dhe siguri, kurse militarizimi i Serbisë nuk i kontribuon në asnjë rast stabilitetit dhe paqes në rajon.

“Lajmi për pozicionimin e forcave ushtarake serbe nuk është një lajm i ri, ndërsa intervista kishte në fokus Ushtrimin Defender Europe 25”, ka thënë ai..

Ndërsa ka publikuar dhe një hartë me lokacionet dhe njësitë e ushtrisë serbe.