Dy persona janë kapur me armë zjarri dhe fishekë në veturë në Drenas. Në mesin e tyre ka qenë edhe reperi Don Xhoni.
Ngjarja ka ndodhur sot, kur njësitë e Reagimit të Shpejtë kanë ndalur një veturë të tipit Land Rover, për kontroll në fshatin Poklek. Gjatë kontrollit, në fiokun e veturës është gjetur një armë zjarri e tipit “DERYA” 9x19mm dhe një karikator me 10 fishekë.
Arma në fjalë nuk i përkiste Don Xhonit, por ishte në pronësi të djalit të axhës së tij, i cili e posedon armën me leje dhe me autorizim për lëvizje drejt poligonit të qitjes.
Sipas rrethanave të sqaruara në Polici, një ditë më parë, djali i axhës së Don Xhonit kishte përdorur veturën e tij dhe kishte harruar armën në fiokun e mesit.
Artisti, i cili ka dalë me veturë, nuk ka qenë në dijeni për praninë e armës dhe e ka kuptuar vetëm në momentin kur Policia e ka ndaluar për kontroll.
Në një prononcim Don Xhoni ka deklaruar: “Policia ka qenë shumë korrekte dhe profesionale gjatë gjithë trajtimit. Jam shoqëruar në stacion ku kam sqaruar të gjitha rrethanat. Më pas ka ardhur edhe djali i axhës, pronari i armës dhe ka dhënë deklaratën e tij. Gjithçka është sqaruar.”