Serbia lëshon fletarrest për policin e Kosovës në lidhje me incidentin në veri

Autoritetet serbe kanë lëshuar fletarrestim të shtunën për një pjesëtar të Policisë së Kosovës, në lidhje me një incident një ditë më parë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq.

Daçiq tha në një njoftim se “polici i Kosovës Dylot Brahimi do të arrestohet sapo të jetë i qasshëm për policinë serbe, pa parashkrim, sa herë që kjo të jetë e mundur”.

Incidenti në Mitrovicën e Veriut më 23 maj shkaktoi reagime të shumta kryesisht për shkak të mënyrës se si i ishte përgjigjur atij një pjesëtar i Policisë së Kosovës që ndodhej në afërsi.

Polici është kritikuar se veproi në mënyrë “selektive” dhe përdori “forcë të tepruar” kur e ndali një maturant serb të Kosovës gjatë një feste të maturantëve në Mitrovicën e Veriut për shkak se, siç thuhet, ai i kishte provokuar njerëzit në një kafene aty pranë.

Policia e Kosovës për rajonin e veriut njoftoi më 23 maj se parada e maturantëve serbë në qendër të Mitrovicës së Veriut përfundoi “qetësisht dhe pa ndonjë problem”.

Megjithatë, në deklaratë thuhet se Policia duhej të ndërhynte gjatë festimeve për shkak të disa provokimeve, por se situata u qetësua dhe se festa vazhdoi.

Në deklaratën e policisë nuk saktësohet se kush kë po e provokonte dhe në çfarë mënyre.

Në pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale, shihet një maturant gjatë paradës duke treguar gishtin e mesëm në drejtim të një kafeneje, ndërsa nga aty një klient, siç thuhet, po bënte me duar simbolin e shqiponjës dykrenore – e cila është simbol në flamurit kombëtar shqiptar.

Shefi i misionit të BE-së për sundimin e ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, reagoi ndaj incidentit duke thënë se ndihej “thellësisht i tronditur” dhe e dënoi “përdorimin e tepruar të forcës nga polici i Kosovës ndaj të riut në Mitrovicën e Veriut”.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, theksoi se polici kishte vepruar në mënyrë “profesionale” dhe se ndërhyrja kishte për qëllim të ndalte përshkallëzimin pas provokimeve nga disa maturantë, të cilët, sipas tij, përdorën simbole nacionaliste dhe brohoritje shoviniste si “Kosova është zemra e Serbisë”.

Sveçla publikoi në Facebook një video ku dëgjohen maturantët duke kënduar këngën “Vidovdan” dhe duke bërtitur “Kosova është zemra e Serbisë” pranë urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicën e Veriut.

Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka kërkuar hetim ndërkombëtar për incidentin e 23 majit në Mitrovicën e Veriut.