Gërvalla ia mbyll derën Limajt: S’mund ta kërkosh kryeparlamentarin me tre deputetë

Donika Gërvalla, kundërshtoi idenë që Fatmir Limaj të zgjidhet kryetar i Kuvendit.

Bashkëkryetarja e partisë Guxo, pjesë e koalicionit fitues të zgjedhjeve të 9 shkurtit, tha sot se një parti me vetëm tre deputetë nuk mund të pretendojë për pozicionin e dytë më të lartë në shtet.

Ajo shtoi se diskutimet brenda grupit parlamentar janë bërë në mënyrë të unifikuar dhe se bashkëpunimi me Nismën mund të ndodhë vetëm mbi baza parimore, jo përmes pazareve politike.

“Ne të gjitha diskutimet i bëjmë me grupin parlamentar, e kemi diskutuar edhe çështjen e krye parlamentarit. Të gjithë jemi të një mendjeje që një parti, e cila ka tre deputetë nuk mund të kërkojë pozicionin e dytë në pushtet.

Nëse Limaj është i gatshëm për një bashkëpunim parimor në kuadër të institucioneteve ne jemi treguar të gatshëm. Nuk duhet të ngatërrojmë çështjen e pazarit kush jep më shumë, merr më shumë, por diskutimi ynë është parimor dhe çka i sjellë Kosovës më shumë”, tha Gërvalla.