Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me rikthimin e Fatmir Limajt në Kuvend.
Kurti kishte thënë se pa përfshirjen e Nismës, AAK nuk do ta kishte kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Këtë koment Haradinaj e ka cilësuar si servilizëm të Kurtit ndaj Limajt, duke e akuzuar kryeministrin se po shmanget nga përgjegjësitë e tij dhe po e zhvendos vëmendjen nga kriza politike aktuale në vend.
“E para është kryeministër, shumë më mirë do të ishte me u marrë me përgjegjësitë që i ka marrë edhe si kryetar i VV-së, edhe si përgjegjës për nominimin e kryetares së Kuvendit. Më shumë do t’i bënte nder vetit kryeministri po që se do ishte i fokusuar drejt kësaj teme”, u shpreh Haradinaj.
Ai shtoi se vendi ndodhet në një situatë kritike, ndërsa Kurti po merret me çështje dytësore dhe po e “terrorizon” shoqërinë me seanca të njëpasnjëshme pa rezultat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“Kryeministri del aty si falltore, e na tregon se kush kujt i ndihmoi. Mendoj që nuk është punë e tij. Është një servilosje ndaj zotit Limaj, pas 20 vjetësh ofendime, sharje e akuza që i ka bërë vetë zoti Kurti”, përfundoi Haradinaj.