Miftaraj ironizon krerët e shtetit: Presidentja përfaqëson vendin, Kurti ndjek sportin, Gërvalla sulmon mediat

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka reaguar me tone ironike ndaj rolit dhe angazhimeve të krerëve institucionalë në Kosovë, duke i përshkruar me nota kritike dhe sarkastike detyrat që, sipas tij, ata i kanë ndarë mes vete.

Sipas Miftarajt, presidentja Vjosa Osmani ka marrë përsipër përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës, duke u angazhuar në forume dhe takime me liderë të shteteve të ndryshme për promovimin e interesave të vendit. Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti, siç shkruan Miftaraj, është më i angazhuar në ndjekjen e finaleve sportive dhe ndonjëherë viziton RTK-në për të “biseduar me veten”.

Miftaraj nuk kurseu kritika as për ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, për të cilën tha se është angazhuar në “sharje dhe ofendime ndaj gazetarëve dhe mediave”, si dhe në afrim të njerëzve pa integritet në subjektin e saj politik.

Ndërkohë, për zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ai u shpreh me ironi se “duket se është në pushim vjetor për disa muaj”.

“Ne pritje të ditës së premte për Përpjekjen dhe Miss Dështimin 20,” përfundon Miftaraj postimin e tij./Periskopi/