Deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka komentuar situatën e vazhdueshme të dështimit të konstituimit të Kuvendit, duke vënë theksin te qëndrimet e paqarta të partive opozitare, sipas saj.
“E kemi të pa qartë se cila është kërkesa e opozitës në këtë situatë. Është e qartë se cili është synimi ynë kur vijmë secilën herë në Kuvend, vijmë për të votuar, për të konstituar Kuvendin”, tha Kusari-Lila për media.
Deputetja e VV-së tha se nëse partitë opozitare synojnë të formojnë një qeveri të re, atëherë hapi i parë është konstituimi i Kuvendit.
“Nëse duan ta bëjnë qeverinë, ose të jenë pjesë e një qeveri të përbërë nga partitë e deridjeshme opozitare atë nuk mund ta kenë pa u votuar kryetari i Kuvendit, nënkryetarët dhe pa u konstituuar Kuvendi. Prandaj në rrethanën në të cilën jemi është një situatë në të cilën bllokuesi të vetëm janë partitë që sot nuk marrin pjesë në votim”, theksoi ajo.