Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, ka theksuar se për formimin e institucioneve në vend është e domosdoshme një marrëveshje politike, ndërsa përgjegjësinë për këtë situatë ia ka atribuar Lëvizjes Vetëvendosje.
E pyetur rreth deklaratave të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, të dhëna mbrëmë në RTK, ajo kujtoi se disa parti politike kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur ndonjë propozim tjetër të Vetëvendosjes për postin e kryeparlamentarit.
“Nëse ti dëshiron ta zgjedhësh kryetarin e Kuvendit që ta nisësh orën demokratike, shko urdhëro te ato parti politike që të kanë ofruar madje edhe emra. Testoji tash ti ata. Pse po kërkon të të testojnë ty. Testoji ti ata, ta shohësh nëse e kanë të mirëqenë propozimin për dy kandidate gra madje”, u shpreh ajo.
Kica Xhelili theksoi se është bërë e zakonshme që fajësia për bllokadën të kërkohet tek të tjerët.
“Është njëfarë domosdoshmërie e secilit që ta gjejë fajtorin diku tjetër”, tha ajo.
Duke folur për procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, deputetja e LDK-së theksoi se kjo nuk mund të bëhet pa një marrëveshje politike, pasi nevojiten 61 vota – numër që nuk i ka pasur asnjëherë asnjë parti e vetme.
“Nuk mund të bëhet asnjëherë kryetari i Kuvendit pa marrëveshje politike, sepse kërkohen 61 deputetë që asnjëherë nuk i kanë takuar një partie politike si tërësi. Nëse jo me partitë tjera, është dashur të bëhet marrëveshje me partitë minoritare, sepse janë edhe nënkryetarët e tyre”, theksoi ajo.
Sipas saj, nuk është e detyrueshme të votohet një kandidat me të cilin subjektet opozitare nuk pajtohen.
“Ne nuk jemi të obliguar ta votojmë një person, në mendësinë antikushtetuese të të cilit ne nuk e gjejmë veten”, tha Kica Xhelili.
Ndërsa për deklaratat e Kurtit, ajo tha se nuk i sheh të nevojshme për koment.