Vuçiqin e ka kap sikleti, nga Nishi i drejtohet Dragan Stojkoviqit për shqiptarët!

Në një fjalim të mbajtur në qytetin e Nishit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka kap sikleti në prag të një prej përballjeve më të tensionuara të futbollit ballkanik.

Në prani të mijëra simpatizantëve, ai iu drejtua publikisht trajnerit të kombëtares serbe, Dragan Stojkoviq, i pranishëm në miting, me një mesazh të drejtpërdrejtë:

“Në qershor do të luani atje kundër Shqipërisë, shkoni për t’i mposhtur!”

Kjo thirrje, e bërë nga një podium politik dhe në një klimë të ndezur kombëtare, ka rizgjuar menjëherë kujtimet e antagonizmit historik mes dy kombeve, një rivalitet që e tejkalon futbollin dhe mbart pas vetes plagë politike, kulturore e identitare, me Kosovën, zemrën e shqiptarisë, si “mollë sherri”.

Në radhët e para të mitingut, Stojkoviq reagoi me një buzëqeshje të përmbajtur dhe përtypte çamçakëz, ndërsa kamerat e fokusonin, por mesazhi ishte i qartë: kjo nuk është thjesht një ndeshje futbolli, por moment për revansh, supremaci.

Ironikisht, kjo deklaratë vjen vetëm pak ditë pasi Vupiqi mori pjesë në samitin e Tiranës, ulur në një tryezë me liderët e Bashkimit Europian dhe mikpritur nga kryeministri shqiptar Edi Rama.

Një kontrast i fortë mes diplomacisë formale dhe nacionalizmit të hapur.

Takimi i 7 qershorit mes Shqipërisë dhe Serbisë pritet të shoqërohet jo vetëm me intensitet sportiv, por edhe me tensione jashtë fushës. Në një duel ku topi është vetëm një pjesë e betejës, emocionet, historia dhe krenaria kombëtare janë po aq të rëndësishme sa rezultati në tabelë.

Sigurisht, ajo që ndodhi në Beograd më 14 tetor, në ndeshjen e ndërprerë në fund të pjesës së parë për shkak të fluturimit të dronit mbi stadium dhe dhunës që pasoi, beteja ligjore pastaj në CAS, ku kuqezinjtë tanë fituan 3 pikë të çmuara, vendimtare për kualifikim në finalet e “Euro 2016”, mbetet si “gjembi në mish” për serbët, të cilët do të kërkojnë shpagim në këto kualifikuese të Botërorit 2026, teksa shorti na ka vendosur në një grup.