Gazetari i medias gjermane, Bahri Cani, ka komentuar fotografinë e liderëve të BE-së dhe krerëve të shtetit të Ballkanit Perëndimor e cila është publikuar në prag të Samitit të Komunitetit Politik Evropian.
Në foto shihet presidentja Vjosa Osmani. Afër saj është homologu i saj malazez, Jakov Milatoviq, pastaj Kaja Kallas, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, kryeministri në detyrë i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i këtij vendi, Bajram Begaj, kreu i Këshillit Evropian, Antonio Costa, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, presidenti serb, Alleksandar Vuçiq, anëtarja e presidencës boshnjake, Zhelka Cvijanoviq, e kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski.
Ai pyet nëse është hipokrizi apo vendosmëri e BE-së.
Sipas tij, BE funksionon ndryshe nga Amerika dhe vende të tjera: funksionon mbi bazën e negociatave, kompromiseve dhe marrëveshjeve që shpesh nuk pëlqehen.
Shkrimi i plotë:
Hipokrizi apo vendosmëri e BE-së?!
Nuk e di çka mendoni ju, por unë nuk po durohem pa e komentuar pak këtë foto: Dikush do të thoshte se BE-së i mungon shpesh boshti kurrizor, i mungon uniteti e vendosmëria. Por BE-ja funksionon ndryshe nga Amerika dhe vende të tjera: funksionon mbi bazën e negociatave, kompromiseve dhe marrëveshjeve, që shpesh nuk na pëlqejnë ndoshta.
Ndaj nuk duhet të çuditemi (edhe pse mua personalisht nuk më pëlqen) që Antonio Costa i shkoi në konak Aleksandar Vuçiqit vetëm pak ditë pasi ai shkoi tek i dyshuari për krime lufte Vladimir Putin në Moskë, pasi që Trumpi nuk e pranoi fare dhe nuk e takoi në Amerikë, ndërsa tani është ftuar edhe në takimin e Komitetit Politik Evropian në Tiranë.
Komisionerja Ursula von der Leyen ka organizuar mbrëmë një darkë joformale me Tiranë mes liderëve të BE-së dhe krerëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në prag të samitit.
Von der Leyen ka publikuar edhe këtë foto ku Vuçiqi “zgjerohet” pothuajse mu në mes të fotografisë dhe bie në sy kënaqësia e tij pa fije pendimi e ndëshkimi për shkeljen e rregullave dhe kërkesave të krerëve të BE që të mos shkojë në Moskë.
Por BE ka në vete edhe politikanë të tjerë me të cilët pothuajse në çdo vendim bën pazare e kompromise, si Orbani, Fico dhe të tjerë. Ndaj edhe nuk duhet të befasojë as mesazhi i von der Leyen pas takimit: “Në Tiranë për takimin e Komunitetit Politik Evropian. Është i pari në Ballkanin Perëndimor. Çfarë simboli i fuqishëm. Familja jonë evropiane e vlerave shtrihet shumë përtej kufirit të Bashkimit Evropian. Ne ndajmë një kontinent. Dhe një të ardhme të përbashkët”, shkroi von der Leyen në X.
Për ata që eventualisht nuk i njohin këta në foto: Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu është e vendosur në skaj, pastaj renditen presidenti malazez, Jakov Milatoviq, e ngarkuara për politikë të Jashtme e BE Kaja Kallas, kryeministri në detyrë i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti Bajram Begaj, kreu i Këshillit Evropian, Antonio Costa, Ursula von der Leyen, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, presidenti serb, Alleksandar Vuçiq, anëtarja e presidencës boshnjake, Zhelka Cvijanoviq, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski.