Djali i Jakup Krasniqit: Harresa ndaj çlirimtarëve në Hagë, goditje e rëndë për shtetësinë e Kosovës

Deputeti i PDK-së, njëherit edhe djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj asaj që e quan heshtje dhe harresë të shtetit ndaj çlirimtarëve që po mbahen sot në Hagë. Ai e cilëson këtë si një goditje të rëndë ndaj shtetësisë së Kosovës, duke theksuar se kjo heshtje po dërgon mesazhe të gabuar te brezat e rinj.

“Me këtë heshtje të pajustifikueshme, po i mësojmë brezave të rinj se heronjtë janë të përkohshëm, se sakrifica harrohet, dhe se dinjiteti është barrë. Po i mësojmë se liria nuk është vlerë për t’u mbrojtur, por çmim që harrohet sapo të fitohet. Po i mësojmë se fitimtarët nuk janë ata që luftuan, por ata që heshtën,” shkroi Krasniqi në një postim.

Ai shtoi se Kosova nuk mund të ndërtojë të ardhmen pa njohur dhe respektuar themelet mbi të cilat është ngritur. “Nëse nuk kemi guxim të kërkojmë drejtësi për ata që na sollën lirinë, atëherë do ta humbasim edhe të drejtën për të kërkuar drejtësi për vetveten,” përfundoi ai.