Lumir Abdixhiku ka kritikuar Albin Kurtin që Kosova nuk është pjesë e takimit të liderëve evropianë sot në Tiranë.
Kreu i LDK-së e ka përgëzuar Shqipërinë për këtë sukses, por ka shprehur shqetësim të madh për mungesën e Kosovës.
“Evropa sot po zbarkon në Tiranë.
E gjitha. Me plot 47 liderët e saj.
Në Tiranën që tashmë, si epiqendër e re rajonale, është bërë shtëpi nga ku po gdhendet e ardhmja e vet kontinentit. Në këtë të ardhme, pa dyshim, po i bëhet vendi dhe vendit të shqipeve.
Kosova, ndërsa, vazhdon të mbetet nën masa e sanksione. Vazhdon të mbetet dhe pa institucione. Mbi të gjitha, vazhdon të mbetet pa ndjenjën e urgjencës për kohën. Nuk ka urgjencë mu tha!
Të tjerat, si zhvillimi, mirëqenia, si progresi shoqëror janë të pakapshme për ata që kanë kapur të ardhmen e vendit tash e sa kohë. Sepse për ta shijimi i jetës së pushtetit, është vet qëllimi. Të tjerat presin.
Sepse kemi rënë. Po vazhdojmë rënien. Të tjerët po vazhdojnë ecjen. Të tjerët po ndërtojnë. Të tjerët po bëhen pjesë e së ardhmes së bukur evropiane që tani u shfaqet vetëm pak vite larg.
Rizgjimi kombëtar ndonjëherë kërkon kohë.
Por sot, ky rizgjim Kosove, kërkon urgjencë.
Kjo urgjencë nuk vjen nga ata që nuk e njohin nevojën. Vjen nga populli i Kosovës që rizgjohet!
Shqipërisë, vetëm përgëzime” shkruan Abdixhiku në reagim.