Daut Haradinaj, deputet i AAK-së, ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke theksuar se partia e tij nuk friksohet nga zgjedhjet dhe ka shumë arsye për këtë.
Sipas tij, situata aktuale në vend kërkon një zgjidhje dhe që, në këtë kontekst, zgjedhjet janë një mundësi e nevojshme.
“Nëse vazhdohet kështu, unë mendoj se më mirë do të ishte të shkojmë në zgjedhje. AAK nuk friksohet nga zgjedhjet dhe kemi shumë arsye për këtë. Një nga arsyet është se duhet t’i japim zgjidhje situatës. Nuk kanë nevojë të na mbajnë ‘gajlen’ ata që nuk na kanë votuar.”
Haradinaj gjithashtu ka shtuar se është shumë i dhënë pas idesë për zgjedhje, dhe se, kurdo që ato mbahen, ai është i bindur se do të thyejnë barrierat që ndodhen përpara. Ai ka theksuar se në Kosovë duhet të votohet me gjakftohtësi.
“Jam shumë i dhënë pas idesë për të shkuar në zgjedhje, jo për egot e mia, por kurdo që mbahen zgjedhjet jam i bindur që do t’i thyejmë këto barrierat e egra. Njerëzit duhet ta kuptojnë që në Kosovë duhet të votohet me gjakftohtësinë, jo në emër të atij që e bën shqiponjën.”
Një tjetër kritikë që Haradinaj ka pasur ndaj qeverisë aktuale është lidhur me pasivitetin e saj në realizimin e projekteve të rëndësishme.
Ai ka theksuar se, nëse një qeveri ka qeverisur katër vjet dhe nuk ka realizuar projekte konkrete, atëherë është e paqartë se çfarë mund të presim nga një qeveri e ardhshme me të njëjtën dinamikë.
“Nëse një qeveri ka qeverisur katër vjet dhe nuk mund të dalin në fushatë me një projekt të përfunduar, unë nuk e di çfarë lloj ymeti duhet të mbajmë për një qeverisje të ardhshme katërvjeçare. P.sh., në Shqipëri, kryeministri çdo mëngjes promovon projektet e realizuara, ndërsa ne këtu kemi mbetur me një urë”, tha Haradinaj.