Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka shkaktuar reagime pas një deklarate të pamatur në rrjetet sociale, lidhur me zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, ku Partia Socialiste doli fituese me rezultat bindës. “Fundi i Shqipërisë”, shkroi Kraki, reagim që erdhi pas publikimit të rezultateve dhe trendeve të para të votimit.
Kraki, deputet nga Juniku me qëndrim në Francë, kishte mbështetur publikisht kandidatin Et’hem Aga nga radhët e PD-së për qarkun e Tiranës.
Ai e kishte promovuar Agën si mik të tij dhe si figurë që, njësoj si ai, vjen “nga Parisi për të kontribuar në bërjen e Shqipërisë një vend normal dhe serioz”.
Në një videopostim në Facebook, Kraki u kishte bërë thirrje qytetarëve shqiptarë ta votojnë Agën, ndonëse deklaroi se “nuk dëshiron të përzihet në zgjedhjet e Shqipërisë”.
Përkundër këtij qëndrimi, Kraki nuk i qëndroi larg komentimit paszgjedhor, duke bërë një deklaratë që u konsiderua skandaloze dhe e papërgjegjshme, sidomos për një deputet të Kuvendit të Kosovës.
Duke shpallur “Fundin e Shqipërisë”, ai përçmoi procesin zgjedhor të një shteti që është anëtar i NATO-s dhe një ndër kandidatët më seriozë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Sa i përket kandidatit të tij të preferuar, Et’hem Aga, ai aktualisht nuk ka siguruar ulëse në Kuvendin e Shqipërisë, me vetëm rreth 170 vota të numëruara dhe duke mbetur pas në renditjen e kandidatëve nga lista e hapur e PD-së për Tiranën.