Shkruan Halil Geci
Ushtria e Kosovës po rritet nën mbikëqyrjen e SHBA-së – mbrojtja po forcohet.
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po hyjnë në një fazë të re strategjike. Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar një marrëveshje kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, e cila pritet të nënshkruhet më 13 qershor 2025 në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes në Uashington.
Kjo është një goditje e fortë për propagandën e atyre që nuk ia duan të mirën Kosovës – as në Beograd, e as në Prishtinë. Marrëveshja përfshin stërvitje të përbashkëta, trajnime, ndërtimin e kapaciteteve strategjike dhe bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes. Kosova dhe SHBA po ndërtojnë një partneritet të qëndrueshëm që shkon përtej simbolikës politike – është bashkëpunim konkret në mbrojtjen e sovranitetit dhe paqes në rajon.
Në kuadër të këtij partneriteti, SHBA ka miratuar blerjen e helikopterëve të tipit Black Hawk dhe 246 raketave antitank Javelin për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kjo përfaqëson një hap të madh drejt modernizimit të kapaciteteve ajrore dhe tokësore të ushtrisë, duke e ngritur Kosovën në një nivel të ri të gatishmërisë ushtarake.
Të gjitha këto fakte hedhin poshtë propagandën se qeveria e tanishme i ka prishur raportet me SHBA-në. Përkundrazi – marrëdhëniet janë forcuar më shumë se kurrë.
Pavarësisht sulmeve politike të opozitës dhe propagandës ruso-serbe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, realiteti është krejt tjetër: Kosova, me përkrahjen e SHBA-së, po ecën përpara me zhvillimin e industrisë së saj të mbrojtjes, përfshirë ndërtimin e një fabrike shtetërore të municioneve dhe laboratorit për dizajnimin e dronëve ushtarakë.
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur rajoni po përballet me kërcënime serioze. Tentativat destabilizuese nga grupet e armatosura të mbështetura nga Serbia, sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, si dhe shfaqja e simboleve ruse në pajisjet ushtarake në veri të Kosovës, tregojnë qartë se rreziku është real.
Vuçiçit i është mbyllur dera në SHBA – dhe me vrap ka shkuar në paradën ushtarake të 9 majit në Moskë. Ky është mesazhi më i qartë se Serbia nuk e sheh veten më në Perëndim.
Në të kundërtën, veprimet e qeverisë Kurti, të mbështetura nga aleatët amerikanë dhe NATO, janë duke e pozicionuar Kosovën si një pikë kyçe strategjike për sigurinë e Evropës Juglindore.
Kosova po merr peshë të re gjeostrategjike. Komanda e NATO-s në Napoli po forcon autoritetin operativ mbi rajonin, dhe Kosova po përfshihet gjithnjë e më shumë në rrjetin mbrojtës euroatlantik.
Komandot amerikane po instalohen në terren. NATO po mbështet Qendrën Evropiane të Mbrojtjes. Kosova po bëhet aleate ushtarake e denjë – një pikë kyçe e sigurisë në kohë sfidash.