Rrugëtimi i Gjestit në reality show-t shqiptare ka qenë gjithçka përveçse i zakonshëm.
Fillimisht, ai ishte pjesë e Big Brother VIP Kosova 3, ku pas më shumë se 70 ditësh qëndrimi, u eliminua në një nominim kokë më kokë me Drilon Ramën — ky i fundit që më vonë u shpall fituesi i atij formati.
Por surpriza më e madhe erdhi vetëm 24 orë pas daljes nga BBVK: Gjesti u bë pjesë e Big Brother VIP Albania, një lëvizje që i befasoi të gjithë dhe që më pas rezultoi vendimtare — ai u shpall fituesi i madh më 19 prill, duke fituar zemrat e publikut shqiptar.
Gjatë qëndrimit të tij në shtëpinë e BBVA, u përfol shpesh për një kontratë të veçantë mes Gjestit dhe Top Channel, e ngjashme me atë që thuhej se kishte pasur Luiz Ejlli në edicionin e dytë. Aludimet u nxitën edhe më shumë nga mënyra se si ai hyri papritur në format.
Por veprimi i fundit i Gjestit duket se i hodhi poshtë këto thashetheme: ai ka nënshkruar zyrtarisht me SGM Management, një label i njohur muzikor, duke sinjalizuar se rruga e tij artistike nuk do të kalojë përmes Top Channel-it, por nëpërmjet projekteve muzikore të pavarura.
“Jemi shumë të lumtur ta mirëpresim në ekipin tonë,” – shkruan SGM në njoftimin e bërë publik, duke treguar se Gjesti është tashmë gati të kthejë famën e tij televizive në sukses muzikor.
Megjithatë, pavarësisht zgjedhjes së Gjestit për të bashkëpunuar jashtë strukturave të Top Channel, nuk ka vend për hatërmbetje.
Ledion Liço ka treguar një gjest të bukur respekti, duke e uruar publikisht për ditëlindjen me një foto ku shfaqet i përqafuar me të, dhe fjalët:
“Happy birthday nub. Shkëlqe gjithmonë.”
Një mesazh i thjeshtë, por me shumë domethënie për raportin e ruajtur mes tyre edhe jashtë formatit.