Rexhepi e quan “shoviniste” qasjen e Abdixhikut për qeveri tranzicionale

Zëvendëskryeministrja në detyrë nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi, ka reaguar ashpër ndaj propozimit të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për formimin e një qeverie tranzicionale.

Reagimi i saj vjen pas një letre publike të Abdixhikut, në të cilën ai përmend edhe përfshirjen e komuniteteve pakicë, por sipas Rexhepit, propozimi i kreut të LDK-së është “shovinist”, duke e akuzuar atë për injorim të komuniteteve jo-shumicë dhe për përjashtim të tyre nga proceset politike në vend.

“E turpshme, e papranueshme dhe jashtëzakonisht e rrezikshme”, e cilësoi Rexhepi deklaratën e Abdixhikut, duke shtuar se një qasje e tillë është “politikisht regresive dhe thellësisht e dëmshme për vizionin e një Kosove moderne dhe multietnike”.

Në një reagim në Facebook, ajo theksoi se Kosova nuk i përket vetëm një grupi etnik dhe se “ajo i përket çdo qytetari të saj – qoftë ai shqiptar, boshnjak, turk, rom, serb, ashkali, egjiptian, goran apo kushdo tjetër që jeton dhe ndërton këtë vend”.

Sipas saj, retorika që fton për formimin e një qeverie vetëm me parti shqiptare përjashton komunitetet tjera dhe bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

“Një deklaratë e tillë është fyerje për të gjithë ne që e konsiderojmë Republikën e Kosovës si shtetin tonë dhe që punojmë ditë e natë për demokratizimin dhe rrugën e saj evropiane”, shtoi Rexhepi.

Në fund të reagimit të saj, ajo u zotua se nuk do të heshtet përballë, siç tha, tentimeve për të heshtur barazinë. “Kosova është shtet multietnik të cilin do ta ndërtojmë së bashku”.