Halil Geci ka reaguar në lidhje me ftesën që LVV ia ka bërë LDK-së, në lidhje me një koalicion dhe marrëveshje politike.
Sipas tij, kjo është një mundësi e artë për LDK-në dhe duhet që ta pranojë ofertën e Kurtit, pasi është në të mirë të partisë, por edhe të popullit.
Krahas kësaj, Geci potencoi edhe disa arsye të forta pse një koalicion ndërmjet LDK-së dhe VV-së do të ishte i dobishëm.
Shkrimi i plotë
LDK në kryqëzim: Koalicioni me LVV, rasti i fundit për shpëtim politik
Koalicioni me Vetëvendosjen është mundësia e artë për LDK-në që të rikthehet në rrugën institucionale dhe të çlirohet nga hija e aleancave të dështuara.
Oferta e Kryeministrit Albin Kurti për LDK-në është një mundësi e rëndësishme, jo vetëm për këtë parti, por edhe për të ardhmen e Kosovës. Kjo ofertë mund të shërbejë si një kthesë strategjike për LDK-në, për t’u rikthyer në rolin e saj themelor institucional, dhe për të avancuar proceset shtetformuese.
Ka disa arsye të forta pse një koalicion ndërmjet LDK-së dhe VV-së do të ishte i dobishëm:
- Rruga e re politike e propozuar nga Kurti mund të sjellë LDK-në në një pozicion më të fortë. Duke qenë se LDK-ja ka ardhur nga një traditë institucionale e fortë dhe aktualisht po kalon një fazë të dobët elektorale, pjesëmarrja në qeveri mund të jetë një mënyrë për të rigjetur identitetin dhe fuqinë e saj politike.
- LDK-ja duhet të largohet nga ndikimi i partive që kanë dëmtuar rëndë rrugën demokratike të Kosovës. Partneritete me subjekte si PDK-ja apo Lista Serbe kanë kompromentuar imazhin dhe besueshmërinë e saj. Koalicioni me VV-në mund të ndihmojë në rikthimin e besimit qytetar dhe të sjellë një platformë më të pastër politike.
- Koalicioni mund të ofrojë një zgjidhje institucionale për çështjet kyçe që vendi përballet aktualisht. Mes tyre, zgjidhja e çështjes së presidentit dhe shmangia e zgjedhjeve të parakohshme – që sipas të gjitha gjasave do të ishin dy palë (lokale dhe parlamentare) brenda të njëjtit vit.
Ky koalicion do t’i jepte LDK-së një mundësi reale për të fituar mbështetjen e bazës rugoviste, e cila gjithnjë ka kërkuar stabilitet, qartësi politike dhe orientim pro-institucional. Nëse LDK hyn në këtë koalicion me përkushtim të sinqertë për të çuar përpara proceset shtetërore dhe jo me qëllimin për t’u tërhequr me justifikime të shpejta, ajo mund të rifitojë kredibilitetin e humbur.
Përndryshe, një sjellje e pavendosur, si në rastin e koalicioneve të mëparshme, vetëm do ta dëmtojë më tej. Ky është një moment sprove për LDK-në: ose të rikthehet në institucionalizëm dhe përgjegjësi shtetërore, ose të mbetet peng i politikave destruktive të së kaluarës.