“Injorimi i Ditës së Dëshmorëve nga Lista Serbe – rrezik serioz për sigurinë kombëtare!”

Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, ka reaguar ashpër pas qëndrimit të deputetëve të Listës Serbe në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, ku u mbajt një minutë heshtje në nderim të Dëshmorëve të Kosovës.

Në një postim, Islami ka theksuar se deputetët e kësaj partie, ndryshe nga gjithë të tjerët, qëndruan ulur dhe injoruan këtë akt simbolik në nder të atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

“E pritshme, pra këta janë ata që nuk e njohin shtetin tonë e as vlerat e luftës së UÇK-së. Pra, kushdo që në këtë moment hyn në koalicion me ‘Listën Serbe’, e rrezikon seriozisht sigurinë kombëtare!”, ka shkruar ai.

Ai ka bërë një paralelizëm me shtetin gjerman, ku partia ekstremiste AfD është cilësuar rrezik për rendin dhe sigurinë, ndaj asnjë subjekt politik nuk pranon bashkëpunim me të. Ndërkohë që në Kosovë, Lista Serbe – sipas tij – jo vetëm që garon në zgjedhje, por edhe përfaqësohet nga individë të lidhur me struktura të rrezikshme.

“Si është e mundur që Lista Serbe te ne të lejohet të marrë pjesë në zgjedhjet nacionale, të zgjidhen deputetët e preferuar nga Vuçiqi, kur dihet se kjo parti udhëhoqi rastin ‘Banjska’, me në krye Radoiçiqin?!”, shtroi pyetjen Islami.

Reagimi i profesorit Avni Islami vjen në kohën kur tensionet politike dhe çështjet e sigurisë në vend mbeten të ndjeshme, ndërsa qëndrimet ndaj Listës Serbe po rikthehen fuqishëm në diskursin publik.