Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish-luftëtari i UÇK-së, Gani Geci, ka reaguar pas ftesës së kryeministrit Albin Kurti drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për një mundësi të re koalicioni, transmeton GazetaKosova.net
Geci, përmes një reagimi publik, ka ironizuar qëndrimin e Vetëvendosjes (LVV), duke rikujtuar historikun e LDK-së në bashkëqeverisje dhe duke theksuar se partia e tij ka qenë gjithmonë konstruktive për stabilitetin politik të vendit.
“LDK që nga fillimi ka thënë se është në opozitë – vetëm për postin e Kryeministrit hyn në koalicione,” thekson Geci, duke ironizuar edhe me narrativën e zakonshme të LVV-së: “Ne e duam shtetin, këta e duan pushtetin!”
Ai ka zbuluar se Glauk Konjufca e kishte ftuar personalisht për të ndihmuar në formimin e qeverisë:
“E, pasi e doni shtetin, pse më thirri mua, Glauk Konjufca, për t’ua bërë pushtetin?” – pyet me ironi Geci.
Gani Geci gjithashtu ka komentuar edhe letrën publike të Albin Kurtit drejtuar LDK-së, ku përmendet bashkëpunimi i mëhershëm mes kësaj partie dhe subjekteve të tjera politike.
Geci thotë se Kurti po e shtrembëron historikun, duke kujtuar se në vitet 2001–2004 LDK, me 46% të votave, ia dha postin e kryeministrit Bajram Rexhepit nga PDK, ndërsa në 2004–2007 e kishte lënë postin e kryeministrit në duart e AAK-së, e cila kishte vetëm 6% të votave.
Në vijim, Geci kujton se LDK-ja gjithmonë ka qenë e hapur për koalicione, madje duke dhënë postin e kryeministrit edhe partive të treta me numër të vogël deputetësh.
Sipas tij, nëse vërtet dëshirohet një qeverisje funksionale, duhet respektuar qëndrimi i LDK-së:
LDK ta ketë Kryeministrin
LVV Kryetarin e Kuvendit
LVV postin e Presidentit
Geci mbyll reagimin me një kujtesë për dështimin e mëhershëm të bashkëqeverisjes:
“Me Kryeministrin nga LVV e kemi provuar dhe nuk ka funksionuar – këtë e ka pranuar edhe vetë Albin Kurti, duke thënë se me LDK-në nuk funksionon as për 24 orë.”