Gazetari i medias gjermane, Deustche Welle, Bahri Cani, ka komentuar sërish dështimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Ai përmes një shkrimi në Facebook dhe disa thënieve gjermane, tha se i vjen marre për sjelljet e deputetëve të Kosovës dhe bllokadën që e kanë krijuar.
Gjithashtu, Cani komentoi qasjet e të gjithëve duke ironizuar se “fajtor s’është askush”.
“Me një fjalë, të drejtë kanë të gjithë. Fajtor s’është askush!
Por pasi që Kosova po shkon ndoshta drejt zgjedhjeve të reja, nuk është keq të mbahen mend këto skena!” – shkroi ndër të tjera, ai.
Shkrimi i plotë
“Fremdschämen”, “Arbeitsverëeigerung”, “Kündigung”…
Në gjermanisht ekziston një shprehje shumë domethënëse: “Fremdschämen”, që do të thotë kur të vjen marre për veprat e dikujt tjetër! Kështu po e ndjej veten edhe unë pak sot me këtë shkrim…
Deputetët e Kosovës e kanë dhënë betimin, e kanë marrë postin e deputetit, e po i marrin edhe meditjet për disa minuta (jo)punë… Por zgjedhja e kryetares/kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit ka dështuar edhe sot, për të dhjetën herë me radhë.
Kryesuesi i seancës konstitutive Avni Dehari, prapë propozoi që të votohet me vota të fshehta. Propozimi dështoi sepse ate e mbështetën vetëm 54 deputetë, një ishte kundër, e duhen 61 vota. Seanca u ndërpre dhe do të vazhdojë të hënën.
Po kush ka të drejtë dhe kush është fajtor? Të drejtë kanë të gjithë: VV ka të drejtë të propozojë kandidatin apo kandidaten për kryetar/e, por nuk i ka votat.
Opozita e deritanishme ka të drejtë të mos e votojë kandidatin e partisë më të madhe, por s’ka të drejtë t’ia imponojë kandidatin VV-së.
Nisma ka të drejtë të abstenojë dhe për momentin është as andej e as këndej – apo ndoshta edhe andej edhe këndej, varësisht se ku e sheh “interesin nacional”.
Edhe Lista Serbe dhe minoritetet e tjera kanë të drejtë të votojnë si të donë…
Me një fjalë, të drejtë kanë të gjithë. Fajtor s’është askush!
Por pasi që Kosova po shkon ndoshta drejt zgjedhjeve të reja, nuk është keq të mbahen mend këto skena!
E pasi që e fillova me gjermanisht, po e përfundoj me gjermanisht – në këtë gjuhë shumë të pasur ekziston edhe një shprehje tjetër: “Arbeitsverëeigerung”, që përdoret për ata që nuk e bëjnë punën e vetë. Në firmat normale, pra edhe në “Baustellat” në Gjermani, për “Arbeitsverëeigerung” jepet edhe “Kündigung” (largim nga puna).
Nuk e di a vlen kjo edhe për deputetët?