Kastrati largohet nga PDK-ja, vjen me kritika për Memli Krasniqin, përmend edhe Kurtin

Ardian Kastrati është larguar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Ai kritikoi të parin e PDK-së, Memli Krasniqin i cili dje i shkoi në takim kryeministrin në detyrë, Albin Kurtit.

Sipas Kastratit, Krasniqi nuk e ka “zorin që të bëhet argat i Kurtit e t’i bëjë atij favor që të duket si tip konstruktiv”.

“I tërë opinioni publik, duke përfshirë simpatizantët e VV-së po e shohin qartazi që bllokuesi është Albin Kurti, dhe jo partitë opozitare, për shkak të kësaj lojës së mirë përgatitur më Albulena Haxhiun, dhe çfarë zori ke ti tash me shku ia bë argatin atij, me i bë favor që ai të duket kinse është një tip konstruktiv, që po fton një lloj dialogu”, u shpreh Kastrati.

Tutje, Kastrati shtoi se Krasniqi u bë rehabilituesi i Kurtit.

Ai ka treguar se pse ka vendosur ta braktisë Partinë Demokratike të Kosovës.

“Unë nuk jam futur në PDK për Memlin, as Ableradin as për Vlorën. Jam hy për Hashim Thaçin e Kadri Veselin. Kam hy duke njohur Albin Kurtin, duke e parë që po rritet kah 2019-ta. Kam ndje obligim moral për me e zhvesh ‘cullak’ Albin Kurtin dhe me tregu se sa i rrezikshëm është ai për Kosovën. Unë përfundova jashtë PDK-së, nuk është fundi i botës. Jam shumë i privilegjuar që dola jashtë, dhe nuk jam i rrethuar nga disa aty, që shenjë dalluese kanë mediokritetin dhe disa prej tyre janë analfabetë funksional. Prandaj është në krizë PDK-ja”, u shpreh Kastrati.

Ai thotë tutje se nuk ka asnjë hatërmbetje me asnjë anëtar të PDK-së.