Zbulohet ‘befasia’ e Lamine Yamal për Real Madridin

Barcelona po vazhdon përgatitjet për finalen e Kupës së Mbretit kundër Real Madridit, pavarësisht zërave për një bojkot të mundshëm nga ana e “Los Blancos”, për shkak të mospajtimeve me ekipin e gjyqtarëve që do të drejtojë takimin. Ndërsa konferenca për shtyp e Carlo Ancelottit dhe Luka Modric u anulua në shenjë proteste, Hansi Flick foli për mediat.
Trajneri gjerman nuk dha detaje përfundimtare rreth zgjedhjes në krahun e majtë të mbrojtjes, por pritet që Gerard Martin të zëvendësojë të dëmtuarin Alejandro Balde. Ndërkohë, ai konfirmoi se Ferran Torres do të jetë në rolin e “numrit nëntë”, duke zëvendësuar Robert Lewandowskin, i cili është jashtë për shkak dëmtimi. Sa i përket favoritëve apo historikut të përballjeve të mëparshme, Flick preferoi të mos ndalej, duke thënë se ato tashmë i përkasin së kaluarës dhe se “Real Madrid është një skuadër e madhe”.

Megjithatë, më shumë vëmendje tërhoqi komenti i tij për Lamine Yamal:

“Është një lojtar i jashtëzakonshëm, për moshën që ka… vetëm 17 vjeç. Është përgatitur shumë mirë. Do të habiteni. Ka një surprizë speciale për ju.”

Detaje që kanë shtuar kureshtjen janë vërejtur edhe në stërvitje, ku Yamal është parë duke stërvitur me një kapelë nën vapën 28-gradëshe. Sipas Diario AS, pamjet e tij duke lënë stërvitjen sugjerojnë se ai mund të ketë lyer flokët për këtë ndeshje speciale. Megjithatë, dizajni i plotë i “surprizës” do të zbulohet në finalen e madhe.

Barcelona konsiderohet favorite për këtë takim, pasi ka fituar dy herët e fundit ndaj Real Madridit këtë sezon. Gjithsesi, mungesat e Balde dhe Leëandoëskit janë të ndjeshme, ndërsa përballë do të kenë një Madrid të etur për hakmarrje dhe shpëtim të sezonit.