Futbollisti i grupmoshave U15 të ShF Fushë Kosovës, Belgin Jashari, më 21 prill të këtij viti është sulmuar fizikisht gjatë ndeshjes që ekipi e tij e pati ndaj ShF Arsenalit.
Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar pas sulmit ndaj futbollistit Belgin Jashari nga komuniteti ashkali.
FFK-ja ka dënuar ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri.
Një ngjarje të tillë, FFK-ja e quan të papranueshme dhe që bie ndesh me sportin dhe vlerat që kultivohen si shoqëri: respektin, barazinë dhe dinjitetin njerëzor.
“Futbolli është sporti që na bashkon. Fusha e gjelbër është vendi ku secili i ri duhet të ndihet i sigurt dhe i vlerësuar – pavarësisht prejardhjes apo përkatësisë etnike. FFK i qëndron pranë Belginit dhe çdo sportisti që përballet me padrejtësi të tilla. Jemi të vendosur të mbrojmë të drejtat e të gjithë futbollistëve tanë dhe, në vazhdimësi, punojmë për një ambient të lirë nga diskriminimi dhe paragjykimet”, thuhet tutje në reagim.
Federata shton tutje se Belgini është pjesë e familjes së futbollit dhe nuk qëndron i vetëm.
“Futbolli i Kosovës nuk lejon dhe nuk do të tolerojë asnjë formë dhune apo diskriminimi. FFK, përmes programit Grassroots, gjatë tërë vitit zhvillon aktivitete gjithëpërfshirëse, ku një pjesë e konsiderueshme i kushtohet grupeve të margjinalizuara. Belgini është pjesë e familjes së futbollit tonë. Ai nuk është vetëm! FFK, në bashkëpunim me KF Fushë Kosova, gjatë javës së ardhshme do të zhvillojë disa aktivitete në mbështetje të Belgin Jasharit, ndërsa ai do të vizitohet edhe nga presidenti Agim Ademi”.