Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ka dorëzuar padi për shpifje ndaj analistit politik Sadri Ramabaja, për shkak të disa deklarimeve të tij të bëra në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, më 7 prill 2025.
Pas kësaj deklaratë ka ardhur edhe reagimi i analistit Rambaja.
Ai në një postim në “Facebook” shkruan se është plotësisht e drejta e saj për të ushtruar padi.
“Zonja Duda Balje sulmi jo gjithmonë është mjet mbrojtjeje – Përballemi në Gyjaktë Në përpjekjen e saj për gjoja raujtjen e “imazhit të dëmtuar”, deputetja Duda Balje më paska paditur për shpifje! Këtë e mësova ndërkohë nga mediat dhe më pas edhe nga publikimi i padisë në faqen e saj në fb. Ushtrimi i padisë është e drejtë qytetare. Këtë edhe deputetes në fjalë ia garanton kushtetuta e Republikës sonë”, tha ai.
Por, që Ramabaja i qëndron deklaratës së tij duke thënë se do të përballet në Gjykatë me deputetën.
“Por, dinjiteti nuk mbrohet duke shfrytëzuar padinë si instrument sulmi dhe barikadimi. Për atë që unë kam pohuar në emisnin Debat Plus më 7 prill 2025, e ripohoj: tutje qëndroj prapa asaj deklarate. Për këtë me kënaqësi do të përballem me zonjën deputete në fjalë në Gjykatë. Trupit gyjkues gjithësesi do t’i ofroj e ripohoj, përveç asaj që kam deklaruar në emisionin në fjalë, edhe informacione shtesë dhe gjithësesi burimin e informimit. Po shpresoj, kësaj pune, paskëtaj, Gjykata do t’i shkojë deri në fund”, ka shkruar analisti.
Sipas Baljes, deklaratat publike të Ramabajës ndaj saj përbëjnë shpifje dhe kanë dëmtuar imazhin dhe integritetin e saj personal dhe profesional.
Ajo ka angazhuar avokatin Fanol Krasniqi si përfaqësues ligjor dhe ka kërkuar 100 mijë euro dëmshpërblim nga i padituri.
“Sot, më 25 prill 2025, kemi dorëzuar padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Shpresojmë që kjo padi të ndikojë sadopak në përmirësimin dhe ruajtjen e imazhit tim, i cili është cënuar nga deklarimet e tani të paditurit Ramabaja,” ka bërë të ditur Balje përmes një shkrimi në Facebook.
Ajo ka apeluar për më shumë kujdes dhe përgjegjësi në deklaratat publike, duke shtuar se propagandat e pavërteta dhe dashakeqe kanë ndikuar që ajo dhe familja e saj të ndihen të shqetësuar.
Sipas padisë, Ramabaja ka pretenduar se zonja Balje e ka përdorur pozitën e saj si deputete për të ndikuar në procesin e formimit të Qeverisë, me qëllim që të siguronte votat e minoriteteve në këmbim të përfitimeve të caktuara.
Në padi thuhet se Ramabaja ka paraqitur Baljen si pjesë të një pazari politik, duke aluduar se ajo ka shfrytëzuar pozitën për interesa personale dhe jo publike
Ai kishte aluduar se Balje është takuar me Milan Radoiçiqin.