Avdyli i ashpër me LDK-në: Nënkryetari i saj cakërroi vezët me popin serb, por nuk takohen me Kurtin

Deputeti i VV-së, Haxhi Avdyli, duket se i ka mbetur fort hatri që LDK-ja ka refuzuar të takohet me kryetarin e VV-së, Albin Kurti, për të diskutuar për formimin e institucioneve të reja.

Ai ka kritikuar ashpër lidershipin e kësaj partie, duke thënë se LDK-ja ka probleme të brendshme.

Në një intervistë për ATV, Avdyli ka thënë se nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, cakërron vezët me kryepopin serb, kurse Abdixhiku refuzon të takohet me Kurtin.

“Ka probleme të brendshme [LDK-ja] sepse të thuhet se nuk takohet me partitë shqiptare është shumë e neveritshme, në të njëjtën kohë nënkryetari i kësaj partie cakërron vezët me kryepopin serb që mohon shtetin e Kosovës dhe shkon direkt në Moskë për t’u takuar me Putinin dhe kërkon nga ai që të na ndihmojë ta kthejmë Kosovën, duke i zhdukur shqiptarët, gatishmëria e tyre është shumë e lehtë që të takohen me shovenistin serb dhe nuk takohen me kryeministrin në detyrë”, ka thënë Avdyli.