Fituesi i “The Voice Australia”, Lachie Gill thotë se nuk është takuar me mentoren e tij Rita Ora që nga mbarimi i spektakliti

Performuesi australian Lachie Gill ka konfirmuar së fundmi se nuk ka më lidhje apo komunikim me yllin shqiptaro-britanik të muzikës pop, Rita Ora, pavarësisht se ajo ishte mentorja që e udhëhoqi drejt fitores në “The Voice Australia” në vitin 2022.

Ky zbulim u bë gjatë një sesioni pyetje-përgjigje me ndjekësit në rrjete sociale, ku 27-vjeçari, i cili është mësues i edukatës fizike, pranoi se marrëdhënia me Ritën ka përfunduar pas spektaklit, shkruan DailyMail.

Megjithatë, Lachie nuk shfaq asnjë ndjenjë negative ndaj Ritës. Në një video që postoi në Instagram, ai u shpreh me një buzëqeshje të lehtë dhe me nostalgji, duke i vendosur klipit mbishkrimin: “Pyetja më e zakonshme më në fund ka marrë përgjigje”.

Në video, ai u përgjigj negativisht pyetjeve të ndjekësve si: “A je ende mik me Rita Orën?” dhe “A flisni ende me Ritën?”. Kur u pyet nëse e kishte takuar më pas Ritën, ai tundi kokën me keqardhje dhe shkroi thjesht: “Jo”.

Por Lachie e mbylli postimin me mallëngjim, duke ndarë një klip nga finalja e “The Voice” ku ai dhe Rita këndonin së bashku hitin e Lady Gaga-s “Always Remember Us This Way”, duke e shoqëruar me fjalët: “Por… unë gjithmonë do ta kujtoj kështu”.

Që nga fitorja në “The Voice”, Lachie publikoi EP-në “Write It Out” në vitin 2023, pasi kishte hedhur dy single në vitin 2022: “Wasted Time” dhe “Sad Summer”.

Sipas Yahoo Lifestyle, kontakti i fundit me Ritën ka ndodhur menjëherë pas përfundimit të spektaklit, kur ajo i dërgoi një mesazh: “Jam shumë krenare për ty. E fituam! Jam jashtëzakonisht krenare!” – kujton Lachie.

Fitorja në “The Voice Australia” në vitin 2022 i solli atij jo vetëm 100 mijë dollarë australianë, por edhe një kontratë diskografike me Universal Music Australia. I emocionuar, ai tha pas shpalljes fitues: “Oh Zot! Që nga fillimi kurrë nuk do ta kisha imagjinuar këtë. Jam totalisht i befasuar. Faleminderit shumë!”

Rita Ora, nga ana e saj, kishte bërë gjithçka për ta pasur në ekip që nga fillimi. Ajo e përshkroi Lachie-n si një “rrëfimtar të jashtëzakonshëm”, duke thënë: “Ai këndon sikur është hera e fundit – çdo herë”.

Lachie, nga ana tjetër, e falënderoi Ritën për këshillën më të çmuar që kishte marrë prej saj: “Më ke dhënë këngë të vështira, por gjithmonë më ke thënë: ‘Mos u përpiq të jesh dikush tjetër, thjesht bëje në mënyrën tënde, Lachie’”.

Në një intervistë të hapur për karrierën e tij në vitin 2023, ai pranoi se suksesi në muzikë është tepër i vështirë, edhe nëse je fitues i një spektakli të njohur:
“Shumë mendojnë se nëse fiton një show televiziv, automatikisht bëhesh yll. Por nuk funksionon kështu. Janë me mijëra artistë atje jashtë, dhe duhet të jesh disi i veçantë që dikush të dojë të të dëgjojë ty e jo dikë tjetër”.

Kjo vlen edhe për të tjerë artistë që nuk kanë qëndruar gjatë në skenë – siç ndodhi me fituesen e “The Voice” në vitin 2021, Bella Taylor Smith, në kontrast me karrierën e suksesshme të Guy Sebastian, fituesit të parë të “Australian Idol”. /Telegrafi/