Prokuroria Speciale ka njoftuar sot se ka ngritur aktakuzë ndaj mësuesit Muhamed Hajredinaj të shkollës “Xhemajl Mustafa” për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”.
Por si kishte ndodhur rasti?
Një 11-vjeçare nuk ishte lejuar të hyjë në klasë në shkollën “Xhemajl Mustafa”, gjatë nëntorit të vitit të kaluarr.
Ajo ishte larguar nga klasa nga mësuesi i anglishtes, Muhamed Hajredinaj, për shkak të veshjes së saj me rroba me motive kombëtare për festën e 28 nëntorit.
Hajredinaj e kishte konsideruar si të papërshtatshme veshjen.
Rasti kishte bërë bujë të madhe. Ndërkohë në cilësinë e drejtoreshës për Arsim në Komunën e Prishtinës, kishte reaguar Jehona Lushaku-Sadriu.
Ajo kishte shprehur keqardhje duke e quajtur si incidenti të papranueshëm dhe shkelje të rëndë.
“Me shumë keqardhje kemi marrë lajmin për një incident të papranueshëm, ku një profesor gjatë mësimdhënies ka shkelur rëndë respektin ndaj simboleve tona kombëtare. Në një ditë festive, kur duhej të ndihmonte fëmijët të shijonin dhe ndiheshin krenarë për identitetin e tyre, ai e hodhi flamurin kombëtar në koshin e mbeturinave. Ky veprim është një shkelje e rëndë e çdo morali, etike dhe norme juridike. Kosova është shtet demokratik dhe laik, ku simbolet kombëtare gëzojnë respekt të pakushtëzuar në çdo institucion, dhe askush nuk ka të drejtë t’i përdhosë ato”, kishte deklaruar ajo.
Profesori i anglishtes ishte pezulluar menjëherë nga detyra. Ndërsa sot ndaj tij u ngrit aktakuzë.
Çka thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj mësuesit?
Prokuroria tha se ka provat që Muhamed Hajredinaj ka përdhosur flamurin kombëtar dhe plisin.
Aty thuhet se ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”.
“Nga provat e siguruara gjatë fazës së hetimeve, dhe pas analizimit të tyre, është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë së i pandehuri M.H., në cilësinë e personit zyrtar (mësimdhënës), me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mo sdurimit midis grupeve kombëtare, etnike dhe fetare në Kosovë, i njëjti me rastin e festimit të ditës së flamurit kombëtar, publikisht ka ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të përdhosjes së simboleve kombëtare shqiptare, më konkretisht flamurit kombëtar dhe plisit, çka me këto veprime ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” nga neni 141 par. 4 lidhur me par. 3 të KPRK-së
Prokurori i shtetit nga Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të njëjtin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, Prokurori i rastit, ka kërkuar nga gjykata që në pajtim me nenin 62 të KPRK-së, ndaj të pandehurit M.H, t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”.