Mbrojtja thotë se Thaçi dhe Veseli kanë pasur vështirësi që të komunikojnë me familjarët e tyre

Gjatë parashtrimeve në konferencën mbi ecurinë e çështjes, të mërkurën në Hagë, mbrojtja e Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon tha se kërkesa e tyre ka të bëjë me problemin e vazhdueshëm të Veselit për të paktën tre muajt e fundit për të pasur mundësi të komunikojë me fëmijët e tij përmes telefonit. Ngjashëm u ankua edhe mbrojtësi i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq.

“Zoti Veseli e ka të vështirë që të bisedojë me ta përmes telefonit sepse e ka ndërprerje të vazhdueshme”, tha Dixon.

Dixon tha se kanë gjetur zgjidhje të ndërmjetme me Zyrën Administrative lidhur me këtë çështje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Veseli mban qëndrimin se situata është e paparanueshme dhe kanë ndërhyrë në të drejtat e tij dhe ka pasur ndikim edhe në përgatitjen e çështjes apo provave të mbrojtjes. Për këtë arsye, thjesht donim t’ua sjellim në vëmendje”, tha ai.

Ndërsa, sa i takon aspektit tjetër që trajtoi Dixon, ishin vizitat në paraburgim, për çka ai tha se këtë problem e kanë edhe ekipet e tjera të mbrojtjes.

“Ne duam që të sigurojmë që të jemi në gjendje që të kemi njoftim paraprak mjaftueshmërisht për sa i takon konfirmimit të vizitave në mënyrë të tillë që të mos presim deri në momentin e fundit, sepse këto kanë ndikim mbi aspekte të planifikimit dhe ato logjistike”, tha ai, duke shtuar që do ishte mirë që të jepet udhëzim i qartë që konfirmimi i vizitave të jepet sa më shpejtë që është e mundur.

Gjithashtu edhe Luka Mishetiq, i cili përfaqëson Hashim Thaçi, tha se edhe i mbrojturi i tij përballet me probleme për të komunikuar me familjarët e tij përmes telefonit.

“Këtë problem e ka edhe zoti Thaçi sa i takon bisedave telefonike me të shoqen dhe djalin e tij”, tha Mishetiq.

Ai gjithashtu tha se ka pasur problem edhe për t’u takuar dje me Thaçin, ku Zyra Administrative e kishte zgjedhur problemin.